Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sulmi ajror izraelit vret 23 punëtorë sirianë, raportojnë mediat libaneze

Ushtria izraelite e ka bombarduar një ndërtesë, në të cilën jetonin punëtorë sirianë në Liban, duke i vrarë 23 prej tyre, raportoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit.

Ky ishte ndër sulmet më vdekjeprurëse në fushatën ajrore izraelite kundër Hezbollahut – grupit militant libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Sulmi ndodhi të mërkurën mbrëma kur Shtetet e Bashkuara me aleatë bënë thirrje për një armëpushim të “menjëhershëm” 21-ditor mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Izraeli ka kërcënuar se do të kryejë ofensivë tokësore në Liban, ndërsa këmbimi i rritur i zjarrit mes tij dhe Hezbollahut ka rritur frikën se mund të shpërthejë një luftë e përgjithshme.

Agjencia libaneze e lajmeve tha se sulmi ndodhi në afërsi të qytetit të lashtë, Balbek, në verilindje të Libanit, i cili shtrihet përgjatë kufirit me Sirinë.

Ajo e citoi kryetarin e fshatit Younine, Ali Kassas, duke thënë se trupat e 23 shtetasve sirianë janë nxjerrë nga rrënojat.

Kryqi i Kuq Libanez tha se i ka nxjerrë nëntë trupa të vdekur, duke shtuar se trupat e tjerë po nxirren nga ekipet emergjente të Hezbollahut dhe nga Mbrojtja Civile Libaneze.

Në Liban, i cili ka rreth 6 milionë banorë, jetojnë rreth 780.000 refugjatë të regjistruar sirianë dhe qindra mijëra të tjerë të paregjistruar.

Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në Liban nga e hëna, kur Izraeli filloi bombardimet e pareshtura për ta shkatërruar atë që e quajti infrastrukturë të ndërtuar nga Hezbollahu prej luftës së fundit mes tyre më 2006. Hezbollahu ka gjuajtur qindra raketa drejt Izraelit gjatë kësaj jave./Radio Evropa e Lirë