Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sulmi ndaj Sokol Mëngjesit, Dhoma e Avokatisë bën paralajmërimin e fortë

Dhoma e Avokatisë e ka cilësuar si sulm ndaj drejtësisë, dhunën për shkak të detyrës të avokatit Sokol Mëngjesi, mëgjesin e datës 29 maj në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, nga 4 persona, sulm i organizuar nga Dritan Nano.

Dhoma e Avokatisë në një njoftim për shtyp ka nënvizuar se do të përshkallëzojë qëndrimin me qëllim mostolerimin e dhunës ndaj avokatëve.

Reagimi i plotë i Dhomës së Avokatisë:

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, me shqetësim të madh është duke ndjekur në vijimësi ecurinë e gjendjes shëndetësore të kolegut dhe njëkohësisht profesorit të Fakultetit të Drejtësisë, z.Sokol MENGJËSI.

Duke marrë shkas nga ky akt tejet i rëndë kriminal, i cili në analizën e gjithë qëndrimeve është inkurajuar nga denigrimet e vazhdueshme bërë figurës së avokatit, duke filluar që nga vlerësimet e politikës, të administratës shtetërore, të trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të disa përfaqësuesve manipulues e keqadashës të medias e të publikut, kanë bërë që të frymëzojnë dhe ushqejnë eksese të tilla kriminale.

Komiteti Drejtues në mbledhjen e tij të ditës së Premte, më 31 Maj 2024, ju bën thirrje dhe kërkon nga të gjithë pa përjashtim, të respektojnë e të vlerësojnë me mirënjohje të veçantë rolin dhe kontributin e avokatit në funksionimin cilësor të drejtësisë.

Dhuna ndaj avokatit është dhunë ndaj drejtësisë, ndaj gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit e noterit. Komiteti Drejtues i Dhomës, për këtë ngjarje të rëndë kriminale, shpreh keqardhjen për mungesën e një qëndrimi apo dënimit të tij, nga trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për atë ç’ka i ndodhi kolegut Tonë.

Duhet të bëjmë me dije që ligjvënësi në një nen të veçantë të Kodit Penal, për shkak të rolit dhe veprimtarisë të rëndësishme publike, vë në mbrojtje të cilësuar subjekte të tilla si deputetin, gjyqtarin, prokurorin, avokatin, ushtarakun dhe një sërë subjektesh që ushtrojnë funksione publike.

Dhoma e Avokatisë do të përshkallëzojë qëndrimin e saj me qellim mostolerimin e dhunës fizike apo psikike ndaj avokateve, si dhe në mbrojtje të dinjitetit profesional dhe interesave të jetës shëndetit e familjarëve të tyre.

Me shpresën që vepra të tilla dhune të mos përsëriten urojmë dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë dhe të plotë të kolegut Tonë Av. Sokol MENGJËSI.

Komiteti Drejtues gjen rastin të përcjell një vlersim të veçantë për ekipin e mjekëve të talentuar dhe të përkushtuar të cilët, që në kontaktin e parë dhe në vazhdim ndjekin dhe kujdesen për kolegun Tonë.

Gjithashtu, përshëndesim Drejtorinë e Policisë së Shtetit Tiranë, për profesionalizmin e treguar në evidentimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve të këtij akti barbar, të cilët duhet të përgjigjen para drejtësisë.