Bashkëpunimin, të cilin Serbia shpeshherë e ka refuzuar, ia ka kërkuar Kosovës së fundmi.
Bëhet fjalë për kërkesën që Beogradi ka sjellë në Prishtinë që autoritetet kosovare t’ia dërgojnë Serbisë provat për Milan Radojiçiqin, i cili udhëhoqi grupin serb që kreu sulmin terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Por, Qeveria e Kosovës e ka refuzuar këtë kërkesë.
Ministria e Drejtësisë ka thënë për televizionin Dukagjini se kërkesa është e kundërligjshme.
“Po ashtu sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion të hetojnë dhe gjykojnë çështjet që pretendohet të jenë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës”.
Ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, sqaron se kërkesa është në kundërshtim me nenin 85, paragrafi 1, nënparagrafët 1.2 dhe 1.3 të ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.
Kjo dispozitë parasheh refuzimin e kërkesave të tilla nëse ato rrezikojnë të cenojnë sovranitetin, sigurinë, rendin publik ose interesat e republikës, dhe janë në kundërshtim me sistemin juridik.
Më 5 tetor 2023, sipas ministrisë, Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Serbisë ndihmë të ndërsjellë juridike, përmes së cilës kishte kërkuar grumbullimin e provave, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
MD-ja tutje shpjegon se Prokuroria e ka bazuar kërkesën në faktet se terroristët ishin trajnuar e armatosur në Serbi, kishin planifikuar sulmin nga Serbia, nga ku kishin hyrë në Kosovë, dhe më pas ishin arratisur në Serbi pas kryerjes së sulmit.
“Serbia duhet t’i përgjigjet kërkesave për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës. Po ashtu duhet të bëhet një hetim ndërkombëtar në raport me bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”.
Një ditë më parë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, tregoi se është bërë një kërkesë e tillë nga Serbia.
“Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z.Radoiçiq si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën kriminale”.
Bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës e Serbisë, për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, të gjitha kërkesat e shteteve për shkëmbime gjyqësore bëhen përmes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Televizioni e ka pyetur për këtë kërkesë të Serbisë edhe Zyrën e BE-së në Kosovë, e cila pos që ka konfirmuar pranimin e saj, nuk ka dhënë më shumë detaje.