
Në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2024 në Varage të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit.
Pas sulmit, autoritetet e Kosovës njoftuan se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur mbi 15 kilogramë eksploziv, sulm ky që nga autoritetet u cilësua si terrorist.
Madje, ekspertët e sigurisë patën theksuar se përmasat e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit i kalojnë ato të Banjskës, pasi qëllimi ishte të dëmtohej infrastruktura kryesore e shtetit dhe do të afektonte direkt qytetarët.
E pas sulmit në Ibër Lepenc, zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës theksuan se akti terrorist është i drejtuar nga Serbia.
Lexo po ashtuSulmi në Ibër-Lepenc, Prokuroria Speciale jep detaje
Pas këtij sulmi, autoritetet shtetërore të Kosovës përmes Zyrës së BE-së kanë kërkuar informata nga autoritetet në Beograd, por që deri tani nuk ka përgjigje.
Lidhur me këtë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna Lachana në një deklaratë për telegrafin tha se kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike u dërgua përmes Delegacionit të BE-së në Beograd në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë më 15 janar 2025, por deri më sot nuk ka marr përgjigje.
“Pas sulmit në kanalin Ibër Lepenc/Ibar Lepenac në veri të Kosovës, Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së ka pranuar një letër nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës më 13 janar 2025, e cila ka transmetuar një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike nga Prokuroria Speciale e Kosovës tek autoritetet përkatëse në Serbi.
E njëjta kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike u dërgua përmes Delegacionit të BE-së në Beograd në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë më 15 janar 2025. Deri më sot, asnjë përgjigje nuk është marrë nga autoritetet serbe”, tha ajo.
Tutje, Lachana theksoi se në dhjetor 2024, Këshilli shprehu pritshmërinë e tij që autorët të kapeshin dhe të sillen para drejtësisë.
Këshilli gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet përkatëse.
Ndryshe, në masën e paraburgimit lidhur me sulmin në Ibër Lepenc janë dy të dyshuar, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq