Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Sulmi në veri është kryer nga grup profesionistësh”, deklaratat e ambasadorit Hovenier pas sulmit terrorist në veri dhe takimi me presidenten

 
   

Pas sulmit terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit, të martën u takuan presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, me theks të veçantë situatën e sigurisë pas sulmit në veri të Kosovës, ku nga akti terrorist i grupeve kriminale serbe, u vra rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe disa policë tjerë u plagosën.

Presidentja, ndërkaq, ka falënderuar aleatët, në radhë të parë SHBA-të, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës.

Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb.

Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq, një deklaratë lidhur me zhvillimet e fundit e ka dhënë edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori në një deklaratë për media tha se sulmi është kryer një grup profesionistësh dhe pas tyre fshihet ndonjë strukturë.

Më lejoni të them se është sulm shumë serioz… Institucionet e sigurisë së SHBA-së po punojnë bashkë me të Kosovës dhe të tjerët për të sqaruar gjithçka që ka ndodhur dhe motivet…”, tha ambasadori.

Ai më tej se ajo çfarë dinë është se pati sulm që ishte nga një grup i organizuar, i stërvitur e profesional dhe që pati edhe pajisje ushtarake.

“…E dimë se sulmuesit vranë një polic të Kosovës”, ka thënë Hovenieri.

Ambasadori amerikan tha më tej se nuk ishte një grup i organizuar spontanisht nga individë, qytetarë, por ishte një grup i organizuar mirë që do të thotë se prapa tyre qëndron ndonjë strukturë.

Hovenier nuk ka pranuar ta komentojë videon e publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilën shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiqi, si pjesë e grupit sulmues.

E kam parë këtë video. Kaq mund të them. S’jam në pozitë të komentoj. Ka shumë gjëra që nuk dihen ende dhe kjo është e komplikuar, por këtë e marrim shumë seriozisht. Ishte kërcënim për Kosovën dhe popullin e Kosovës me pasoja tragjike. Po punojmë me partnerët që të kuptojmë çka ka ndodhur dhe të mbahen përgjegjës ata që bënë këtë. Jemi me popullin e Kosovës kur përballen me kërcënime dhe kjo do të vazhdojë edhe në këtë rast”, ka shtuar ai.

Ai më tej u shpreh se nuk ka njohuri nëse ka pasur negociata për lirimin e sulmuesve.