Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sulmohet me tritol banesa e Arben Turkut në Lushnjë. I bënë atentat edhe më 2022

Një shpërthim tritoli ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Lushnjë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes, kurse autorët dyshohet se lëviznin me makinë. Shpërthimi ka ndodhur në lagjen nr. 18 dhe i është vendosur banesës Arben Turkut.

Nga eksplodimi ka pasur dëme të shumta materiale, por jo të lënduar. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet. Paraprakisht njoftohet se banesa nuk kishte njeri, pasi Turku me familjen jetojnë mes Anglisë dhe Italisë, kurse banesa ishte me qira te kunati i tij prej kohësh dhe aktualisht e pabanuar.

Motiv besohet të jetë ndonjë mesazh paralajmërues apo hakmarrës, teksa sasia e tritolit mund të ketë qenë rreth 200 gramë dhe me fitil zjarrpërcjellës. Po verifikohen kamerat e sigurisë në zonë për identifikimin e autorëve, rrethanave dhe shkaqeve.

Nga hetimet e para u zbulua se edhe më 1 nëntor të vitit të kaluar i kanë bërë atentat Turkut pranë banesës po me tritol, ku përsëri nuk pati viktima.

Si ndodhi ngjarja më 2022?

Banesa ishte në pronësi të Arben Turkut, i cili është në emigrim në Angli, por aktualisht jetonte me qira kunati i tij, Altin Lamçe. Ky i fundit është tregtar në tregun e fruta-perimeve. Në momentin e shpërthimit, kanë qenë 5 pjesëtarë të familjes Turku, ku fatmirësisht nuk kanë pësuar dëmtime, teksa ka pasur dëme të shumta materiale pasi janë thyer xhamat dhe dyert e kësaj banesë. Tritoli është hedhur nga jashtë murit rrethues brenda në oborr. Kunati i Turkut që jetonte aty, kryente aktivitet si tregtar. Motivet dhe autorët mbetën mister, teksa dyshohet se janë të njëjtët. Policia ende s’e ka zbuluar se kush ishte shënjestra mes të dyve.