Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sulmoi ekipin e Nacionales në Prizren, 1 muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 11.08.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 11.09.2023, ndaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale sulm ndaj personit zyrtar nga neni 402 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Fjala është për një person që kishte sulmuar ekipin e Nacionale në Prizren në ditën kur protestohej kundër DokuFest.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri A.K., me datë 11 gusht 2023, rreth orës 14:00., në Prizren, me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrat e tij zyrtare – të dëmtuarin V.K., (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari V.K., (gazetar), gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K., e shtyen me dorë duke e sulmuar, pasta, I dëmtuari V.K., vazhdon ti intervistojë protestuesit të tjerë të pranishëm ku has në rezistencë, të të pranishmëve, dhe persona të tjerë e sulmojnë fizikisht gazetarin me të cilat veprime tek i njëjti shkaktojnë shqetësim”, thuhet në njoftim.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dy (2) të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual, si rezultat i të kësaj caktimi I paraburgimit për të pandehurin është i nevojshëm, dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit.

Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në konstatim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim edhe të parandalimit të përsëritjes së veprës penale.Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.