Koordinatori i Departamentit për Financa në KQM të PDK-së, Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë Kurti për zgjerimin e platformës “superpuna”.
Ai ka vlerësuar se kjo po bëhet për t`i hapur rrugë rritjes së punësimit të militantëve partiakë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se kjo po bëhët për shkak të afrimit të zgjedhjeve.
“Me afrimin e zgjedhjeve, Qeveria e Albin Kurtit po zgjeron platformën superpuna për ti hapur rrugë rritjes së punësimit të militantëve partiakë. Në kohën kur ritmi i rritjes ekonomike po shënon nivelet më të ulëta e Kosova po zbrazet, Qeveria e Kosovës sjellë lajmin e “madh”, atë të zgjerimit të platformës superpuna”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se Kosova ka nevojë për politika që zhvillojën ekonomin dhe krijojnë vende të reja të punës.
“Kjo është vetëm një platformë e punësimit të përkohshëm e artificial, që më tepër po shfrytëzohet si instrument i punësimit të militantëve partiakë dhe nuk ka të bëjë me krijim të vendeve të punës. Kosova ka nevojë për politika që zhvillojnë ekonominë e krijojnë vende të reja pune, por këto qëllime nuk mund të arrihen duke bllokuar investimet kapitale dhe duke krijuar pasiguri të mëdha te investitorët”, ka shkruar ai.