Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka vendosur për suspendimin e gjyqtarit Agim Kuçi.
Siç raporton sot portali “Betimi për Drejtësi”, bazuar në burime brenda KGJK-së, gjyqtari Agim Kuçi është suspenduar nga puna deri në një vendim tjetër të Këshillit.
Suspendimi vjen pasi i njëjti më 3 maj 2024 pas shpalljes së dënimit me 25 vjet burgim për Sekiraqën, mori aktvendim që t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe të mbrohet në liri.
Në njoftim thuhet se mbledhja e Këshillit u mbajt me dy pika të rendit të ditës: Themelimi i panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24 dhe Themelimi i panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/03/2024/GJTHGJL-AD.GJTH.GJL.nr.5/24.
“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të dy rasteve disiplinore ka themeluar panelet hetimore. Sa i përket rastit AD/KGJK/04/2024/GJTHPR-AD/GJTHPR/8/24, Këshilli bazuar në kërkesën e autoritetit kompetent me shumicë të votave vendosi për suspendimin e gjyqtarit që është subjekt i hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftim.
Kuçi është gjyqtar i Krimeve të Rënda në Prishtine që nga viti 2020.
Ai, ishte pjesë e trupit gjykues që e dënoi Sekiraqën me 25 vite dënim me burgim për rastin e vrasjes së policit Triumf Riza, shkruan Paparaci.
Në shpallje të Aktgjykimit, gjyqtari Kuçi e liroi nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqën por që vendimi i Apelit më 17 maj e ktheu në paraburgim të akuzuarin Sekiraqa.
Por, Sekiraqa është arratisur pas lirimit në arrest shtëpiak. Ai nuk është gjetur në shtpinë e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ në Prishtinë më 17 dhe 18 maj, kur Policia me urdhër të Gjykatës shkoi për ta marrë Sekiraqën dhe dërguar atë në paraburgim.
Enver Sekiraqa po gjykohej për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Gjykimi ndaj tij ka nisur më 2014. Ky proces maratonik gjyqësor ndaj Sekiraqës ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vite burgim, kurse me 30 vite burgim në vitin 2019. Më 3 maj të këtij viti, ai u dënua me 25 vite burgim nga shkalla e parë e gjykatës.