Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sveçla nga Spanja: Të sanksionohet Serbia që sulme si i 24 shtatorit të mos përsëriten më

 
   

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm që është mbajtur nën organizimin e presidencës spanjolle të Këshillit të Evropës dhe Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Sveçla tha se gjatë këtij forumi u diskutua për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, luftimin e substancave narkotike në shoqëri, migrimin, azilin dhe menaxhimin e integruar të kufirit.

“Në fjalën time theksova angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, veçanërisht duke njohur faktin që institucionet tona dhe zyrtarët tanë, prej më shumë se dy vitesh janë ballafaquar me sulme të njëpasnjëshme terroriste në veriun e vendit tonë”.

“Duke përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën Rreshter Afrim Bunjaku, ritheksova rëndësinë e sanksionimit të Serbisë si parandalim që sulmet e tilla të mos përsëriten më”, tha Sveçla.

Tutje, Sveçla tha se falë angazhimit dhe profesionalizmit të policisë, më 24 shtator u parandalu një katastrofë dhe u mbrojtën jetët e qytetarëve, zyrtarëve policorë, sovraniteti dhe integriteti i vendit.

“Prezantova angazhimet tona si institucione në fushën e drogave, migrimit, azilit dhe menaxhimit të integruar të kufirit si në aspektin e legjislacionit i cili është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së, bashkëpunimin me shtetet e rajonit në këto dhe me Agjencitë e BE-së në këto fusha”.

“Rikonfirmova gatishmërinë tonë të plotë për bashkëpunim dhe avansim të politikave që synojnë siguri, paqe e drejtësi për vendet tona dhe për rajonin tonë”, tha ai.