Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sveçla publikon pamjet e aksionit të Policisë së Kosovës në veri, ja çka u konfiskua

 
   

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë sot se aksioni i sotëm policor në Mitrovicën e Veriut dëshmon tri fakte.

Ai ka thënë se aksioni dëshmon për sulmet që janë kryer në veri të vendit ndaj zyrtarëve policorë, qytetarëve dhe gazetarëve.

Sveçla ka thënë se po ashtu ky aksion dëshmon arsyet pse regjimi “i Aleksandar Vuçiqit dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar në veri”.

Postimi i plotë:

Luftimi i krimit të organizuar në çdo cep të vendit është prioritet i yni. Për më shumë se 20 vite, veriu i shtetit tonë kryesisht ka jetuar në ilegalitet. Grupet dhe veprimtaritë kriminale kanë lulëzuar e paradoksalisht kanë qenë normaliteti. Ky realitet i mëparshëm po zbehet ditës-ditës. Qytetarët tanë pa dallim kërkojnë rend, ligj e siguri.

Pas informacioneve të pranuara, sot në Mitrovicën e Veriut është kryer një aksion i suksesshëm nga Policia e Kosovës në një banesë në rrugën e Kolashinit, saktësisht në katin 11 tek tre rrokaqiejt.

Në banesë janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara.

Fakti i sotëm është dëshmi e trefishtë:

1. Është një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve tanë policorë, pjesëtarëve të Kforit e Eulexit, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm.

2. Është dëshmi lidhur me kontigjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të Vuçiçit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin.

3. Eshte dëshmi e arsyes së vërtetë se përse Vuçiçi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar.

Ndaj ne po punojmë progresivisht që pesha e krimit mos të bjerë mbi qytetarët e ndershëm të Republikës. Aksioni është arritur falë dhe bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore, në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë.

Kjo është një nga shembujt që mbështet të dhënat e raportit të UNDP-së. Në këtë raport theksohet se është rritur ndjenja e besueshmërisë dhe sigurisë tek qytetarët tanë të minoritetit serb.

Për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë. Ata kanë patur dy motive: pasurimin e jashtëligjshëm dhe luftimin e shtetit të Kosovës. Adresa, shtysa dhe financimi gjithmonë mbetet në Beograd, ku Vuçiqi me bandat e kriminelët e tij ka tentuar dhe vijon të tentojë minimin dhe destabilizimin e shtetit tonë.

Veriu po ecën drejt normalitetit. Serbia nuk do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit.