Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sveçla: Terroristët e sulmit në Banjskë u kamufluan me uniforma të KFOR-it

 
   

Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, institucionet e vendit përkujtuan 24 shtatorin e vitit 2023.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shpalosur detaje të padëgjuara deri më tani për terroristët serbë që sulmuan Policinë e Kosovës.

Sipas të parit në dikasterin e Punëve të Brendshme, ky grup u kamuflua edhe me rroba të pjesëtarë të KFOR-it për të eliminuar policinë e Kosovës.

“Njëri nga qëllimet e këtij grupi ka qenë të kamuflohen me ç’rast do të eliminonin policinë tonë nëpër pika të caktuara ku kanë pas në plan që të vendosen. Do të thotë jo vetëm që kanë bllokuar, pra fshatin e Banjskës por faza tjetër e operacionit të tyre, ka qenë që ata të zënë pozicione të ndryshme përfshirë pozicionet që policia i ka pas në zotërim, në situatat e zakonshme, pikat e kontrollit, stacionet tona policore. Kjo tregon se ata kanë qenë të përgatitur detajisht”, tha Sveçla.

Sipas ministrit Sveçla, ky grup me në krye Millan Radojiçiq, u armatosën nga kazerma ushtarake e Serbisë, detaje këto të gjetura në dronët që sekuestroi policia në vendin e ngjarjes.

“ Kur unë përmenda dëshmitë që kemi zënë tashmë është publike, ne kemi edhe dokumentacionin e pranim dorëzimit të armëve nga magazinat e Ushtrisë së Serbisë, absolutisht kjo është pjesë e aktakuzës do të thotë, nga një magazinë zyrtare e ushtrisë së Serbisë ipen raketa hedhësit grupit terrorist të Radojiciqit, nga një magazinë tjetër ipen metralozët 30 milimetërsh apo minahedhësa”, tha ai.

E në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, ministri thotë se mungojnë njerëzit kyç që ndihmuan grupin terrorist të Banjskës, e që është edhe komandanti i Ushtrisë serbe.

“ Aktakuza për mua është e paplotë përderisa nuk është komandanti i kazermës Pasulanski Livade zëvendësi i tij, por edhe komandanti i përgjithshëm.. jo mungesa e përfshirjes së tyre se amniston Serbinë si pjesëmarrëse direkte në sulmin e Banjskës dhe komandanti i Ushtrisë së Serbisë”, tha Sveçla.

Sipas tij, informacionet e fundit që posedojnë institucionet thonë se grupi i Millan Radojiçiq po përgatitet për sulme të tjera.

“ Ne kemi informata inteligjente qoftë tonat qoftë të partnerëve tanë, se grupi i Radojiçiqit herë me numra ma të mëdhenj herë më të vogël, vazhdojnë të trajnohen në Serbi, që do të thotë aspiratat e tyre me shkaktua destabilizim në Kosovë e planet e tyre që të ripushtojnë pjesë apo tërë Kosovën vazhdojnë të jenë në zbatim”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme tutje ka shtuar se Policët ne veri janë të gatshëm të përballen me cdo sfide që paraqitet për ta.