Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Szunyog: BE e gatshme t’i heqë masat, por pret që Kosova të bëjë më shumë për deeskalimin

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Unioni është i gatshëm që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por si kusht Kosova duhet të bëjë më shumë për shtensionim të situatës.

Ai tha se është shumë e qartë si për Kosovën dhe Serbinë ajo çka pritet të bëjnë këto dy shtete në rrugën për normalizimin e marrëdhënieve.

“Bashkimi Europian diskutoi çështjen e masave, ndaj është pjesë e diskutimit për zgjerimin në dhjetor të vitit të kaluar, konkluzionet për zgjerim u miratuan nga Këshilli i Përgjithshëm më 3 dhjetor vitin e kaluar. Ato konkluzione janë të disponueshme që t’i lexoni dhe ju mund të shihni se BE është e gatshme të heqë masat, por gjithashtu pret që Kosova të bëjë më shumë për depërshkallëzim dhe nuk ka ndonjë afat. Mendoj që politika jonë është bërë e mjaft e qartë që më datën 3 qershor kur kemi formuluar qartë atë se çka presim nga të dyja palët”, tha ai në një deklaratë për televizionin publik.

Bashkimi Europian në fund të qershorit të vitit të kaluar ia kishte kumtuar Qeverisë së Kosovës lajmin për vendosjen e masave ndëshkuese me arsyetimin se Kosova s’ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’i ulur tensionet në veri të vendit, të cilat nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Më pas Kosova dhe BE më pas dakorduan në Bratisllavë një marrëveshje me katër pika që Kosova duhet t’i zbatojë për t’iu hequr masat. Ndër to është edhe shtensionimi i situatës dhe mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore. Për këto të fundit tashmë ka nisur procedura me nënshkrimin e peticioneve për të shkarkuar kryetarët aktualë.

Krerët e Kosovës në vazhdimësi i kanë cilësuar si të padrejta masat dhe thonë se tashmë situata është e shtensionuar.