Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Szunyog vizitoi Klinën e Istogun, zotohet për mbështetje të projekteve të reja

 
   

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog gjatë ditës së djeshme ka vizituar objektin e Komunës së Klinës, në të cilën ka zhvilluar edhe një takim me kryetarin e kësaj komune, Zenun Elezaj.

Ndërsa pas takimit vizita e ambasadorit Szunyog ka vazhduar edhe në parkun arkeologjik të Dresnikut, dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë në të cilën është bërë edhe inaugurimi i renovimit të një projekti të financuar nga BE, që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të personave me aftësi të kufizuara.

Në këtë qendër, ambasadori është takuar edhe me drejtorin e QKMF-së dhe stafin, me të cilën nga afër patën mundësinë të flasin për punën që po bëhet, nga ku theksuan se shqetësuese është ikja e stafit nga vendi.

Pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Szunyog ka thënë se kanë diskutuar për projektet e realizuara si dhe sfidat me të cilat po përballet kjo komunë, për çfarë u zotua se do të mundohen të gjejnë zgjidhje për t’i tejkaluar ato. Ndërsa, ka shprehur gatishmërinë e tij edhe për idetë më të mira që ndihmojnë zhvillimin e Kosovës.

Szunyog: Për neve është me rëndësi edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës

“Diskutuam së bashku me kryetarin për projektet e realizuara si dhe për sfidat që përballet Komuna e Klinës. Njëkohësisht vizituam edhe Parkun arkeologjik të Dresnikut që ishte mjaft mbresëlënës, po ashtu edhe projektin e përbashkët të financimit nga ana e BE-së, inaugurimin për qasjen më të lehtë të personave me aftësi të kufizuara në QKMF. Së bashku me kryetarin biseduam edhe për regjistrimin e popullsisë, i cili sapo ka përfunduar, dhe njëkohësisht biseduam edhe për grantin për përformancë komunale të cilin e financon BE. Kemi dëgjuar disa ide shumë interesante për financim dhe shpresoj që së bashku me komunën dhe po ashtu me nivelin qendror në Prishtinë të bisedojmë dhe të ketë zgjidhje edhe për këto, kështu që BE është një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë, së bashku me homologët kosovarë do t’i shikojmë dhe t’i dëgjojmë idetë interesante dhe do të financojmë ato të cilat kanë të bëjnë dhe që i konsiderojmë si prioritet, siç është çështja e arsimit, tranzicioni i gjelbër, pastaj furnizimi me energji elektrike. Për neve është me rëndësi edhe zhvillimi ekonomik i Kosovës, kështu që ne bashkëpunojmë edhe me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik të vendit“, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj derisa është shprehur i lumtur nga përkrahja që po ofron BE, ka thënë se falë ndihmës së tyre në projekte të ndryshme janë përmirësuar kushtet në disa objekte të kësaj komune.

Ai po ashtu ka thënë se projekti që kanë inauguruar përveçse ka ndihmuar qasjen e personave me nevoja të veçanta, ka lehtësuar edhe punën e stafit brenda QKMF-së.

Elezaj: Paraqita kërkesë për ambasadorin të mbështetemi edhe në projekte të reja

“Falënderoj ambasadorin e BE-së në Kosovë, i cili na nderoi me vizitën në Komunën e Klinës me rastin e dy projekteve të rëndësishme, finalizimin e projektit për qasjen e plotësuar në institucionet publike të cilin edhe e inauguruam bashkërisht. Do të jetë një lehtësim i madh jo vetëm për qytetarët me nevojë, por edhe për funksionimin e lehtësuar të stafit brenda QKMF-së përmes liftit dhe korridoreve lëvizëse. Falënderova edhe për një projekt tejet të rëndësishëm me një vlerë rreth 800 mijë euro, i cili po përfundon në shkollën në fshatin Gllarevë, e që është financim e BE, rreth 730 mijë euro dhe pjesa tjetër bashkëfinancim nga komuna, ku do ta kemi një shkollë model me kushte më të mira. Të njëjtën kohë paraqita kërkesë për ambasadorin të mbështetemi edhe në projekte të reja që kanë të bëjnë me zhvillimin e komunës se Klinës, siç është parku arkeologjik i Dresnikut, pastaj qasja në shtigjet e ecjes për tek Ujëvara e Mirushës, projekte tjera me trajtimin e ujërave të zeza, e kemi përmend edhe ngrohjen qendrore, e disa sfida tjera”, tha ai.

Pas Komunës së Klinës, Szunyog ka vazhduar vizitën e tij edhe Komunën e Istogut, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Ilir Ferati, me të cilin biseduan rreth projekteve që ka zhvilluar kjo komunë dhe ndihmën e BE-së.

Gjatë qëndrimit në këtë komunë, Szunyog ka vizituar edhe Troftën, ku nga afër ka parë zhvillimet që janë bërë në këtë objekt, e po ashtu edhe punën që po e realizojnë edhe përmes projekteve të financuara nga BE.

Ambasadori Szunyog shtoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Kosovën për ide dhe projekte të reja të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.