Vizitën e paparalajmëruar dy ditore të emisarit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak në Prishtinë, politologjia Arta Tahiri Beqa po e sheh si pjesë të intensitetit të takimeve që kërkojnë zgjedhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo në një intervistë për magazinën “Info Plus” në RTK, ka thënë se mbase tash BE nuk po bëjnë paralajmërime si në të kaluarën për vizita të tilla, pasi takimet tani janë më të shpeshta dhe Brukseli nuk jep informacione që mund të sjellin diçka si risi. Mirëpo, ajo ka thënë se në këtë vizitë ai pritet për të sjellë zgjidhjen ose formatin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pasi krahas kryeministrit Kurti do të takojë edhe liderët e partive opozitare.
“Po shihet një presion i vazhdueshëm mbi palën kosovare për formimin e Asociacionit. Takimi me opozitën besoj që është për të mbështetur këtë format të Asociacionit, pasi një gjë e tillë për hir të transparencës, do të jetë si raportim i kryeministrit në Kuvendin e Kosovës dhe do t’i kërkohet opozitës që të jenë më bashkëpunues dhe fleksibil sa i përket raportimit të tij dhe ta pranojnë këtë format të ashtuquajtur modern për Asociacionin”, ka thënë ajo.
Tahiri Beqa shpreson se Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive, por ka thënë se ende është herët për t’i bërë një analizë, ngase nuk ka një draft zyrtar për statutin e këtij asociacioni.
“Është mirë për të theksuar se të gjitha deklaratat e deritanishme si nga emisarët ose ata që janë ndërmjetësues po potencojnë se nuk do të shkelen vijat e kuqe. E vijat e kuqe të Kosovës janë që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive. Por, gjithashtu po e shohim edhe deklaratat e Kurtit se thotë se nuk do të nënshkruajë Asociacion, i cili do të jetë i dëmshëm për Republikën e Kosovës. Gjithsesi, po presim sonte ose nesër do të dilet me një version përfundimtar se si do të duket ky Asociacion i komunave dhe më pastaj do të mund ta bëjmë një analizë më të detajuar se sa mund ta cenojë apo sa është i dëmshëm për integritetin territorial dhe kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Arta Tahiri Beqa.
Ndërkaq, sa i përket rolit të opozitës dhe qëndrimit të saj për të mos i votuar Marrëveshjet Ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, ajo ka theksuar se e kupton opozitën në një segment, pasi çështja e opozitës është gjithmonë të synojë pushtetin, por ka thënë se nuk e mirëkupton sabotimin e disa vendimeve të cilat janë jetike për qytetarët e Kosovës.
“Nuk e mirëkuptoj mos aprovimin ose mos votimin e Marrëveshjeve Bdërkombëtare, gjë të cilën dikur edhe opozitë kur ka qenë kjo qeveri i ka votuar, sepse e ka kuptuar se sa të rëndësishme janë këto fonde apo këto projekte të cilat vijnë si pjesë e donacioneve ndërkombëtare. Nuk është e justifikueshme të sabotohet në pafundësi, pavarësisht qasjeve apo politikave të brendshme opozitë-pozitë”, ka shtuar ajo.