Analistja, Arta Tahiri-Beqa vlerëson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk është faktor aq i rëndësishëm sa të vendosë për politika më madhore që kanë të bëjnë me Kosovën.
Duke komentuar takimin e mundshëm mes kryeministrit Albin Kurti me Ramën, Tahiri-Beqa thotë se do ishte mirë që ky i fundit të pritej siç duhet.
“Ne duhet ta dimë edhe një gjë, që Edi Rama nuk është faktor dhe nuk mund të jetë faktor kaq i rëndësishëm që të vendosi për politika më madhore që kanë të bëjnë për Kosovën. Çka do të thotë kjo?! Do të thotë që Edi Rama nuk është as pjesë e Bashkimit Evropian, as pjesë e institucioneve vendimmarrëse. Ai mund të jetë vetëm si pjesë negociues apo rekomandues, por jo vendimmarrës. Kështu që mirë do të ishte që ne ta presim Edi Ramën si mik i joni, si nikoqir ta presim edhe ta përcjellim ashtu siç duhet”, deklaroi ajo.
Sipas saj, nëse as presidentja, Vjosa Osmani e kryeparlamentari, Glauk Konjufca nuk do takoheshin me Ramën, kjo do ishte skandal.
“Fatmirësisht, është mirë që Osmani dhe Konjufca kanë takuar Edi Ramën, nëse edhe këta të dy nuk do takonin Edi Ramën sot, sinqerisht nuk do të kishte seriozitet…do ishte një skandal”, shtoi Tahiri-Beqa.
Kryeministri Kurti ka “refuzuar” të takohet me Ramën, pasi siç ka thënë ai, e konsideron të arsyeshme “një mbledhje të përbashkët të dy Qeverive, por jo takime të tjera”.