Në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që u mbajt sot në Tiranë, ku u diskutua Plani i Rritjes, ka munguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë vetëm virtualisht. Mospjesëmarrja e tij në këtë samit u kritikua shumë dhe u përmend edhe në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se “refuzimi” i kryeministrit është i papranueshëm, pasi kështu ia ka plotësuar një dëshirë “armikut tonë”.
“Është i papranueshëm fakti që kryeministri i Kosovës refuzon pjesëmarrjen në këtë samit kaq të rëndësishëm, në këto rrethana që po kalojmë. Refuzimi i tillë nga kryeministri është i papranueshëm dhe po ju përkujtoj që për 16 vite, që nga shpallja e Pavarësisë, Serbia në vazhdimësi e refuzon pjesëmarrjen e Kosovës në tavolinat ku është e barabartë me shtetet e rajonit.
Kryeministri i Kosovës ia plotëson një dëshirë armikut tonë, shtetit të Serbisë me mospjesëmarrjen, ku ata nuk kanë nevojë me kërku mospjesëmarrjen sepse Kosova e refuzon një pjesëmarrje të tillë. “ – tha Tahiri.