Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se njëzet ligjet të miratuar të enjten e javës së kaluar në Kuvendin e Kosovës do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese.
“Duke e vlerësuar të patolerueshme një sjellje të tillë të shumicës parlamentare e cila brenda ditës improvizoi disa seanca në të cilat u dhunua instituti i shqyrtimit parlamentar të ligjeve (siç e përcakton Kushtetuta), kemi vendosur që njëzetë ligjet e miratuara në seancat e datës 05 dhjetor 2024 t’i kontestojmë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në ‘Facebook’.
“Një vendim i tillë, për të ngritur para kësaj gjykate kërkesat për vlerësimin e kushtetushmërisë së këtyre ligjeve, para së gjithash, paraqet vazhdimësi të punës dhe angazhimit konsistent të PDK-së në mbroje të rendit kushtetues dhe vlerave demokratike mbi të cilat është ngritur dhe qëndron Republika jonë”, tha ai.
Tahiri tha se janë të bindur që procedura e shqyrtimit dhe miratimit të këtyre ligjeve është kundër-kushtetuese dhe jemi duke punuar që të gjitha parashtrimet tona para Gjykatës Kushtetuese, si gjithnjë, të konfirmohen të bazuara, të drejta dhe mbi të gjitha profesionale.
“Si deputetë, asnjëherë nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë shkeljes dhe cenimit të rendit tonë kushtetues!”, tha Tahiri.