Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Tahiri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Shumica e vendeve janë në anën tone

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se 2/3 e votave janë reale për votimin e sotshëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook” tha se pas pak, Kosova do ta ketë edhe një betejë, atë të mos votimit të 16 amendamenteve, ku sipas tij, shumica janë të iniciuara nga delegacioni serb.

“Në të dy takimet në Komiteteve, në atë për Barazi dhe Mos diskriminim dhe në Komitetin për Çështje Ligjore dhe Drejta të Njeriut diskutimet dhe votimet treguan se shumica dërrmuese janë në anën tonë. Në të parin votimi ishte i qartë, 30 vota ishin PËR, 2 KUNDËR dhe 4 abstenime ndërsa në të dytin, në Legal 23 vota PËR dhe 3 KUNDËR”, ka shkruar Tahiri.

“Gjatë diskutimeve theksova se Kosova i plotëson standardet dhe kushtet. Këtë e kanë thënë tashme Juristët Eminent dhe te tri raportueset. Anëtarësimi i Kosovës i hapë rrugë edhe minoriteteve për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Është WIN-WIN, fitore e të gjithëve”, ka shkruar Tahiri.

Në takimin e sotshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës fillimisht do të zhvillohet debat e më pas edhe votim për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë sesion pranveror, i cili është i një rëndësie historike për Kosovën, do të diskutohet raporti i raportueses së Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve prezentë për kalimin tutje.