Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Takim urgjent, nisin diskutimet për krijimin e policisë së kryeqytetit pas ngjarjes së mbrëmshme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur sot takim urgjent me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe me drejtorin e Policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, pas të shtënave me armë mbrëmë në lokalin “Bon Vivant”, ku vdiq një person dhe u lënduan 20 të tjerë.

Rama ka thënë se me ta ka diksutuar për çështjen e sigurisë në dhe hapat të cilët duhet të ndërmarren për krijimin e policisë së kryeqytetit.

“Pas ngjarjes së mbrëmshme e cila na shqetësoi të gjithëve, bashkë me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica mbajtëm një takim urgjent me drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në #kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë. Siguria në #kryeqytetin tonë është prioritet i yni.”, ka shkruar Rama.

Ndryshe, 21 persona kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Prishtinës, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit. Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.

Një prej të plagosurve ka vdekur sot, në orët e para të mëngjesit.

Lajmin e ka konfirmuar doktori Shaqir Uka nga Klinika Intensive, i cili tha se bëhet fjalë për një 39-vjeçar.

“Po, ka vdekur një prej personave të plagosur mbrëmë, një 39-vjeçar. Ai ishte nën kujdesin intensiv kishte intervenim kirurgjik por për shkak të lëndimeve të mëdha, fatkeqësisht ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm”, ka thënë Uka.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se 17 persona, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.

Sipas Policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.

“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.