Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Takimi i “frytshëm” i Vuçiqit me Zelenskyn, reagon deputetja britanike Kearns

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar të martën me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Zelensky foli për një takim të “frytshëm”, ndërsa Vuçiq tha se “Ukraina s’do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën”.

Deputetja britanike Alicia Kearns, që është kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, për “Kyiv Post” ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Vuçiqit e po ashtu ka reaguar edhe deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko.

“Për një kohë shumë të gjatë, pretendimi i Vuçiqit për një balancim e ka lejuar Serbinë që të shpëtojë përkundër akteve skandaloze si ato të frikësimit dhe madje edhe rrëmbimit të tre policëve kosovarë brenda Kosovës”, ka thënë Kearns.

Më 10 gusht, Vuçiq kishte thënë se nëse Ukraina e njeh Kosovën atëherë “do të humb çdo gjë brenda ditës”.

Merezhko ka thënë se Vuçiqi s’guxon të diktoi qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës.

“Ai nuk guxon të ndikojë në politikat e SHBA-së, Britanisë së Madhe apo Gjermanisë”, tha Merezhko.

E Kearns i ka quajtur “kërcënime kundër Ukrainës”, ato deklarata të Vuçiqit.

“Është Vuçiqi që ka marrë vendim të mos e dënojë dhunën e përdorur nga një shtet kundër fqinjëve, duke refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve kundër regjimit të Putinit. Vuçiqi dhe politikanët nacionalistë në Serbi janë irredentistë – ata nuk besojnë në të drejtën e Kosovës për shtetësi, apo ajo që më shqetëson, edhe të drejtën e saj për të ekzistuar”, tha Kearns.

Merezhko ka thënë se politika e Vuçiqit në Ballkan është e ngjashme me atë të Putinit me shtetet fqinje.

“Synimi është të arrijë vetëm një gjë – më tepër fuqi dhe ndikim për veten dhe kjo politikë e Vuçiqit rezonon me forcat ultranacionaliste agresive brenda Serbisë”, tha Merezhko.

Kearns ka thënë se “BE-ja duhet të jetë e qartë e të reagojë ndaj Serbisë”.

“Për Perëndimin, Vuçiqi e pozicionon Serbinë si aleate të rëndësishëm strategjik në Ballkan, me idenë se qeveritë perëndimore nuk do t’i shohin aktivitetet destabilizuese të tij në Kosovë, në këmbim për një siguri më të gjerë rajonale”, tha Kearns.

“Ne duhet të përkrahim qytetarët në Serbi e Kosovë që të jetojnë në paqe, e jo të kërcënojnë ekzistencën e njëri-tjetrit. Por, qasja aktuale nuk është e balancuar. Është te BE-ja që të jetë absolutisht e qartë kur bëhet fjalë për dënimin e irredentizmit serbë karshi Kosovës”, tha Kearns.

Merezhko në anën tjetër thotë se Kremlini shfrytëzon destabilizimet në Ballkan me synim për të larguar Perëndimin nga mbështetja e saj për Ukrainën.

“Rusia dhe Lavrovi mund të besojnë naivisht se konflikti i hapur do ta shpërqendronte Perëndimin nga angazhimi i tij ndaj Ukrainës, por kjo është absolutisht e gabuar. Kjo është arsyeja pse diplomacia e parandalimit është thelbësore”, tha Merezhko.

Por, Kearns beson se “origjina e destabilizimit është në Beograd”.

“Qasja jonë aktuale s’po funksionon. Derisa Britania, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të mbesin të përqendruara në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe të kërkojnë progres në rrugën e tyre euro-atlantike., ne duhet të bëjmë këtë në mënyrë që të zbatojmë praktika të diplomacisë parandaluese dhe të depërshkallëzojnë tensionet. Kjo do të thotë të jemi të fortë në thirrjen kundër veprimeve destabilizuese – kushdo që i kryen ato – dhe të jemi të qartë në deklarimin se nuk do të tolerojmë politika irredentiste, veçanërisht përgjatë vijave etnike”, tha Kearns.