Gjatë ditës së enjte, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, u takua në Moskë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
Daçiq në Moskë, theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve me Rusinë dhe Kinën, duke i cilësuar ato si “interesa jetike” për Serbinë.
Këto komente u bënë pas takimit të tij me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili vlerësoi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë. Lavrov nënvizoi se “toni i këtyre marrëdhënieve formohet rregullisht nga kontaktet mes presidentëve Putin dhe Vuçiç”.
Shefi i diplomacisë ruse shfaqi interes për të dëgjuar vlerësimin e Serbisë për situatën “serioze” në Ballkan dhe shprehu dëshirën për parandalimin e krizave të reja.
Ministri serb tha se marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel shumë të lartë, “përkundër të gjitha sfidave që po përjetojmë”.
Pas këtij takimi pati reagime të shumta.
Lidhjet e ngushta ndërmjet Rusisë dhe Serbisë po konsiderohen rrezik për stabilitetin e Ballkanit dhe kjo është diskutuar gjerësisht.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) nuk ka heshtur në lidhje me këtë takim. Ata kanë deklaruar se janë të vetëdijshëm për takimin mes Daçiq dhe Lavrovit në Moskë. DASH shtoi se nuk e shohin si të përshtatshme që një vend të ofrojë platformë për presidentin rus Putin për të promovuar ose arsyetuar politikën e tij të vazhdueshme agresive kundër Ukrainës.
Kujtojmë se Serbia, një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk është bashkuar me sanksionet perëndimore kundër Rusisë. Ky vend mbështet pretendimet e Beogradit për Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore.
Kelmendi: Lavrovi rus tregon se Fronti i ri luftës në Evropë është Ballkani
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi.
Ai tha se vizita e Daçiqit në Moskë me Lavrov tregon lidhshmëritë që Serbia dhe Rusia kanë mes vete.
Deklaratat e ty liderëve tregojnë se dy shtetet janë të interesuar për botën serbe.
Muhamet Kelmendi.
“Vizita e Daçiqit në Moskë dhe takimi me Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov, tregon lidhjet e pashkëputura mes shtetit serb dhe rus. Serbia është historikisht e lidhur me Rusinë. Formimi i Serbisë dhe zgjerimi i këtij shteti në tokat shqiptare është bërë me ndihmën e Rusisë, si dhe të Francës dhe Britanisë. Deklarata e Lavrovit në takimin me Daçiqin, duke thënë se “Rusisë i nevojitet vlerësimi i Serbisë për situatën ‘serioze’ në Ballkan”, është një përkrahje e drejtpërdrejtë ndaj Serbisë. Ky qëndrim përkrah Serbinë në ndërtimin e “botës serbe”, duke përfshirë bashkimin e Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë, të Malit të Zi, dhe pushtimin e Kosovës me shtetin serb”, u shpreh ai.
Profesori më tej thekson që deklarata e Lavrovit të Rusisë përputhet me deklaratën e kriminelit të luftës Vuçiq për luftë.
“Serbia synon edhe aneksimin e Maqedonisë së Veriut, një qëllim që ka marrë përkrahje nga Rusia. Kjo ka sjellë shpresën për dërgimin e më shumë armatimeve dhe forcash speciale nga Rusia në Serbi, ndërsa priten veprime terroriste serbe në Kosovë. Për NATO-n, BE-n, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ballkani Perëndimor është bërë fokusi i tensioneve. Pritet që aksionet e shtetit serb në këto vende të përforcohen, me qëllim të pushtimit dhe ndërtimit të “botës serbe”. Deklaratat e Lavrovit të Rusisë përfshihen në linjë me deklaratat e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq për përshkallëzimin e luftës. Bashkimi i tyre për këtë qëllim luftarak në Ballkan është një synim i qartë për të dy palët”, thekson Kelmendi për “Bota sot”.
Mehazi: BE-ja është dorëzuar para Rusisë e Serbisë
Sulejman Mehazi
Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që kjo vizitë tregoi se Serbia nuk është afër NATO-s pasi jetike për të është ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën.
“Vizita e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiqit, në Moskë, tregoi, se, deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Hillit, doli jo e saktë që tha: “se Serbia është më afër NATO–s sesa Kosova”, jo vetëm kaq por deklarata e shefit të diplomacisë serbe Daçiqit në Moskë doli dhe kundër shteteve të BE-së duke u shprehur: “se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë e Kinën është “interes jetik” për Serbinë” që me fjalorin diplomatik nënkuptohet se BE-ja e NATO për Daçiqin e Vuçiqin janë vdekjeprurëse, kurse Rusia dhe Kina për Serbinë janë “interesa jetike”, Daçiqi në Moskë me homologun e tij rus Lavrovin hapur ua bëri me dije se të kota janë përpjekjet mikluese të NATO-s dhe BE-së për ta larguar Serbinë nga vëllai i madh Rusia që është për përhapjen e luftës në shtetet e Ballkanit Perëndimor: në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi”, foli ai.
Profesori më tej thekson që vizita e Daçiqit në Moskë është mjaft serioze, provokuese e luftënxitëse.
“Nëse evropianët dhe amerikanët nuk bëhen tog kundër interesave jetike serbe-ruse-kineze në Ballkanin Perëndimor, atëherë fajtor për përhapjen e luftës ruse në Ballkan do jenë kush tjetër përveç neglizhenca e diplomacisë së SHBA-ve dhe BE-së. Edhe qytetarët e thjesht të Ballkanit Perëndimor e kuptojnë se vizita e Daçiqit në Moskë është mjaft serioze, provokuese e luftënxitëse pasi për Daçiqin “interesi jetik për Serbinë” janë dy shtetet antiamerikane e antievropiane, Rusia dhe Kina e jo të mos i kuptojnë këto kërcënime të Daçiqit diplomatët e fuqive të mëdha të BE-së e SHBA-së”, shpjegon profesori.
Në fund, ai thotë që Daçiqi e Vuçiqi hapur refuzojnë BE-në, kurse BE-ja gjetiu e miklon Serbinë për vazhdimin e luftës ruse në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Vizita e Daçiqit te Lavrovi në Moskë e ka kuptimin paralajmërues të përhapjes së luftës ruse nga Ukraina në Kosovë. Duket sikur BE-ja është dorëzuar para Rusisë e Serbisë. Daçiqi e Vuçiqi hapur refuzojnë BE-në, kurse BE-ja gjetiu e miklon Serbinë për vazhdimin e luftës ruse në shtetet e Ballkanit Perëndimor, mjerim. BE-ja e SHBA-të më shumë brengosen për dinarin serb në Kosovë sesa për deklaratën kërcënuese luftënxitëse të Daçiqit në Moskë”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.