Kryeministri Kurti mirëpriti ministren e Katarit për Zhvillim Social dhe Familje, Maryam bint Ali bin Nasser Al Misnad
Kryeministri Albin Kurti e priti në takim ministren e Katarit për Zhvillim Social dhe Familje, Maryam bint Ali bin Nasser Al Misnad.
Zyra e Kryeministrit thotë se Kurti “u shpreh i nderuar me vizitën që po ia bën vendit tonë ministrja Al Misnad, ndërkohë që shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe kontributin e Katarit ndaj Kosovës, si në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare ashtu edhe përmes programeve të tjera të bashkëpunimit në vend”.
“Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Katarit, dhe u bisedua rreth rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në rrafshin ekonomik, tregtar dhe institucional. Një theks i veçantë në takim iu dha programeve të mirëqenies sociale. Kryeministri Kurti e njoftoi ministren Al Misnad me sistemin e ndihmës sociale në Kosovë, teksa përmendi pilotimin e reformës së skemës së asistencës sociale e cila filloi këtë fundjavë dhe mësimet e së cilës do të reflektohen edhe në Projektligjin e ri për mbrojtjen sociale”, thuhet në njoftim.
“Në kuadër të masave mbështetëse, kryeministri veçoi shtesat për mbi 55 mijë lehona dhe mbi 400 mijë fëmijë të cilat dëshmojnë përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe forcimin e pozitës financiare të grave në Kosovë. Si rezultat i këtyre shtesave, rreth 100 mijë gra në Kosovë për herë të parë kanë hapur xhirollogari bankare”, thuhet tutje në njoftim.
Në kuadër të bashkëpunimeve në të ardhmen, ZKM thotë se “interesim i dyanshëm u shpreh për fushën e digjitalizimit të shërbimeve dhe sistemit të mbështetjes sociale”.