Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Takimi në Bruksel, deklarohen nga VV-ja: Ky është qëllimi përfundimtar për situatën në veri

Depërshkallëzimi i situatës në veri dhe plani i sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, do të diskutohet të mërkurën në Bruksel, në takimin e radhës të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, thonë se pas dakordimit të Bratisllavës kanë dëshmuar gatishmërinë për deeskalim të situatës në veri, andaj kërkojnë fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili sipas tyre duhet të jetë i drejtë, barabartë dhe i zbatuar në plotni.

Edhe në partinë në pushtet potencojnë nevojën për zgjidhje të tensioneve në veri, por nënvizojnë se largimi i tërësishëm i Policisë nga objektet komunale në veri duhet të reflektojë me heqjen e rrezikut në teren. Por, nga opozita adresojnë kritika ndaj Kurtit, siç thonë për manovrat e rrezikshme që po i ndërmerr në kuadër të dialogut me Serbinë. Ndërkaq, njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës koordinim me bashkësinë ndërkombëtare për hapat tutje në raport deeskalimin e situatës në veri.

“Takimi i radhës i procesit të dialogut pritet të mbahet ditën e mërkurë. Siç është theksuar në pikën 4 të dakordimit të Bratisllavës, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit. Në vazhdimësi po dëshmojmë gatishmërinë tonë për deeskalim, siç e dëshmoi së fundmi dakordimi i Bratisllavës, dhe poashtu fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe i zbatuar në plotni”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar për medie i zëvendëskyryeminsitrit Besnik Bislimi.

Takimin e nesërm në Bruksel e mirëpret edhe deputeti i LVV-së, Armend Muja, i cili thotë se Qeveria është e interesuar për deeskalim të situatës në veri dhe për zbatim të plotë të marrëveshjes bazë.

Ai shton se institucionet kosovare kanë zbatuar tashmë të gjitha dakordimet e arritura javën e kaluar në Bratisllavë.

Muja: Kosova është e interesuar për deeskalim dhe për zbatim të marrëveshjes bazë

“Besoj se të gjithë hapat që jemi dakorduar me ndërmjetësin e BE-së, Kosova i ka zbatuar tashmë. Qëllimi përfundimtar është që të ketë deeskalim të situatës atje, pasi është brenda territorit tonë dhe është në interesin tonë që të ketë sa më pak nevojë për polici. Por ekziston edhe parimi i dytë që përderisa ekziston rreziku ose shkallë e caktuar e rrezikut, ajo do të përcillet me prezencë proporcionale të policisë. Zvogëlimi i prezencës së policisë duhet të reflektojë me heqjen e rrezikut në teren. Bandat kriminale duhet të largohen ose të arrestohen. Besoj se vlerësimi i përbashkët i sigurisë i ndihmon kësaj. Po ashtu, Kosova është shumë e interesuar që të ketë zbatim të plotë të të gjitha zotimeve dhe dakordimeve në kuadër së Brukselit dhe të Ohrit. Duhet të ketë një sekuencim që është i favorshëm për të dy palët që kanë marrë obligime në atë marrëveshje”, thekson ai.

Mirëpo, deputeti i PDK-së, Ferat Shala adreson kritika ndaj kryeministrit Kurti për qasjen e tij në raport me dialogun me Serbinë.

Ai thotë se si pasojë e vendimeve të gabuara të Kurtit në raport me veriun e vendit dhe dialogun me Serbinë, Kosova sot është nën sanksione nga aleatët ndërkombëtarw.

Shala: Manovrat e Kurtit në dialog janë të dëmshme për Kosovën

“Të gjitha këto manovra jashtëzakonisht jo produktive në skenën politike dhe ndërkombëtare të qeverisë kanë qenë të dëmshme. Asnjë nga qëndrimet e zotuara nuk janë mbajtur. Fillimisht e tensionon situatën pastaj kthehet e zhbllokon. Luan thjeshtë me aspekte të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, por dëmi është jashtëzakonisht i madh. Ne sot jemi nën sanksione të të gjithë spektrit demokratik, të shteteve që na kanë ndihmuar në lindjen, rritjen dhe zhvillimin e Kosovës”, deklaron deputeti opozitar.

Në anën tjetër, analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se bashkësia ndërkombëtare po pret më shumë konstruktivitet nga Qeveria për depërshkaëllzimin e situatës në veri.

Ai thotë se kryeministri Kurti ka dy rrugë në dialog, bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarw ose vazhdimin e vendimeve që izolojnë Kosovën në raport me botën demokratike.

Muhaxhiri: Ekzistojnë vetëm dy rrugë në dialog

“Ekzistojnë vetëm dy rrugë. Rruga e harmonizimit me ndërkombëtarët dhe bashkëpunimit me ta, ose e izolimit të mëtejmë të Kosovës në raport me botën demokratike. Është mirë që Qeveria Kurti është tërhequr nga ideja e saj për të vazhduar me kokëfortësi në veri, tani edhe ka zvogëluar numrin e policëve dhe ka premtuar zgjedhje të reja për muajin shtator. Mirëpo duhet edhe shumë dëshmi konstruktive nga kjo qeveri që është në gjendje të bashkëpunojë me ndërkombëtarët dhe të punojë drejt gjetjes së një zgjidhjeje realiste për veriun, e cila është zgjidhja e vetme e mundshme në këto rrethana. Vetëm bashkëpunimi me ndërkombëtarët është ai që mund të çojë drejt një zgjidhje afatgjate. Në të kundërtën çdo aventurë kokëfortë është e destinuar për të dështuar”, thotë ai.

Takimin e nesërm në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit dhe kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dhe kryenegociator serb, Petar Petkoviq, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano në Twitter.

Marrëveshja për shtensionimin e situatës në veri u arrit më 10 korrik në Bratisllavë të Sllovaksië, në takimin që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi zhvilloi me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Janë katër hapa që për dy javë duhet të përfundojnë mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Pika e parë dhe pika e dytë kanë filluar të zbatohen javën e kaluar, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale dhe ajo, ku Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

Si pikë e tretë, Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës.