Të mërkurën pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Këtë e ka konfirmuar këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu.
Sipas tij, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit.
“Takimi i radhes i procesit të dialogut pritet të mbahet ditën e mërkurë. Siç është theksuar në pikën 4 të dakordimit të Bratisllavës, diskutimi do të jetë në lidhje me planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit”, ka thënë Kadiu.
Ai ka thënë se në vazhdimësi po dëshmohet gatishmëria për deeskalim.
“Siç e dëshmoi së fundmi dakordimi i Bratisllavës, dhe po ashtu dhe fokusim total në zbatimin e marrëveshjeve dhe planit të sekuencimit, i cili duhet të jetë i drejtë, i barabartë dhe i zbatuar në plotni”, shtoi më tej ai.
Ndryshe, Bislimi dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thanë se janë pajtuar për hapat drejt shtensionimit të situatës në veri.
“Jemi pajtuar për hapat e nevojshëm për të siguruar shtensionim efektiv të situatës dhe të bazuar në ligj dhe për përqendrim në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, shkroi Bislimi në Twitter pas takimit me Lajçakun në Bratisllavë.
Lajçaku tha se të hënën në Bratisllavë ka zhvilluar “bisedime intensive” me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zubin Potokut, të Zveçanit dhe të Leposaviqit hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e policisë.
Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe që atëherë kanë protestuar në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.
Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës për të shtensionuar situatën, të cilat ende nuk janë plotësuar nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja që nga fundi i qershorit po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Kryeministri Kurti i ka quajtur këto masa “të padrejta” dhe është shprehur i gatshëm të organizohen zgjedhje të reja në veri, por ato, siç ka thënë ai, duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot.