Diplomacia perëndimore ka vazhduar thirrjet që Kosova dhe Serbia të marrin veprime për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës kur për më shumë se një javë po mbahen protesta para ndërtesave të komunave.
Të shtunën Bashkimi Evropian u bëri thirrje palëve që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
BE-ja pret që Kosova të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës, kryetarët e komunave t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme sa më shpejt në të katër komunat.
E në lidhje me këto tensione në veri të vendit në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.
Profesori u shpreh se në çdo dialog ka konflikte dhe tensione mirëpo që në këtë rast kryeministri Kurti është duke qëndruar stoik përballë sfidave.
Sulejman Mehazi
Sipas tij, Kurti sa më shumë që e mbron Kosovën aq më shumë e nxit Vuçiqin për të bërë veprime të pamatura politike.
“Nuk ka dialog pa konflikte e tensione, kështu thonë dhe teoricientët e gjinisë dramatike, se për të pasur dialog aktorët në skenë janë të detyruar të tensionojnë, kundërshtojnë idetë, për ndryshe nuk mund të ketë as shfaqje teatrale pa kundërshtime dialoguese, dialogu e ka kuptimin e konflikteve e tensioneve, pa konflikte e tensione nuk mund të vijë dialogu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si intelektual e politikan i zgjuar shumë mirë e di dhe e kupton se procesi i problemit të stërzgjatur me Serbinë nuk mund të përfundonte me monologje politike sikurse që vepronte ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimeve me presidentin e Serbisë Vuçiqin në Bruksel. Kurti është politikan i sfidave, nuk është politikan që ju ik problemeve, por ju rri në ballë problemeve serbe për të fituar Kosova, Kurti sa më shumë që e mbron Kosovën aq më shumë e nxit Vuçiqin për të bërë veprime të pamatura politike që për të dalë fitimtar kryeministri i Kosovës, Kurti”, u shpreh ai.
Më tej, Mehazi përmend disa nga tensionet që u krijuan mirëpo që Kosova zgjodhi problemet.
“Kurtin e inspirojnë tensionet serbe e bëjnë më të fortë e më të fuqishëm përballë presidentit shovinist të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit. Shkurt e qartë s’ka dialog pa konflikte, tensionet për targat serbe e detyruan Vuçiqin të takohet me Kurtin në Bruksel, tensionet e katër komunave serbe në veri detyruan Vuçiqin të pajtohet me Marrëveshjen paqësore të Ohrit, nëse dikush është i papërshtatshëm për Vuçiqin gjatë dialogut, ai është Albin Kurti.
Me anë të tensioneve serbe në Kosovë u zgjodh problemi i letërnjoftimeve, me tensionet e targave serbe u zgjodh problemi dialogues në mes Kurtit dhe Vuçiqit, me dorëheqjen e serbëve nga institucioneve qeverisëse e lokale të katër komunave në veri erdhi Marrëveshja e Ohrit. Pikërisht, pas situatës së krijuar ditëve të fundit në veri ka kuptim dialogu për zgjedhjen e shpejtë të Marrëveshjes paqësore të Ohrit.
Nëse dikujt i konvenon të mos ketë dialog në mes Kosovës e Serbisë, ai është Vuçiqi e jo Kurti që përshpejton zgjidhjen me anë veprimeve të mençura politike ndaj Serbisë”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.