Talat Xhaferi, mandatari për formimin e Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, para zgjedhjes së kryeministrit, foli për prioritetet e kësaj qeverie kalimtare.
Xhaferi tha në Kuvendin maqedonas se “nuk do të lejoj të devijojmë”, nga rruga dhe nga prioritetet e dakorduara me partnerët e koalicionit, ndërsa përmendi rrugën për integrimin në Bashkimin Europian.
Ai tha se prioriteti kryesor do të jetë “përgatitja e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.
Xhaferi tha ndër tjerash se do të vazhdojnë “zbatimin e parimeve të marrëveshjeve për marrëdhëniet ndëretnike”, ndërsa foli më tej për prioritetet strategjike shtetërore.
“Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbeten politika qendrore dhe strategjike të qeverisë”, tha ai.
“Do të zbatojmë proceset e nisura për rrumbullakësimin e legjislacionit vendor në lidhje me proceset institucionale të partnerit tonë strategjik – Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përcaktimin dhe sanksionimin e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin”, tha Xhaferi.
Xhaferi në fund e falënderoi kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, presidentin maqeonas, Stevo Pendarovski dhe deputetët.
Pas diskutimit, deputetët e Maqedonisë së Veriut pritet ta zgjedhin qeverinë teknike me në krye Talat Xhaferin. Kjo qeveri do të jenë në detyrë derisa të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit.