Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njëherësh kandidat për president në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë kërkuar që të bëhet një listë e përbashkët e të gjitha partive shqiptare.
Por kjo, siç thotë Taravari, ishte e pamundur.
“Kurti nuk ka ndikim që të bëhet kandidat Arben Taravari ose opozita shqiptare të bashkohet. Madje të jem i sinqertë, e them ekskluzivisht, Kurti dhe Rama kanë pasur tendenca a mund të bëhet një listë e përbashkët e të gjitha partive shqiptare, a ka gjasa? Nuk kemi mundur, ishte mision i pamundur”.
Megjithatë, ai shtoi se të gjitha partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë një marrëveshje të përbashkët.
“Kemi një marrëveshje ndërmjet krejt partive shqiptare mes vete, nuk hyjmë në qeveri që nuk garanton ndryshime kushtetuese dhe fillim të negociatave”.
Sipas tij, ky është kushti i domosdoshëm për të negociuar me ndonjë parti politike maqedonase.
“Nuk është korrekte të hyjmë në qeveri nëse dalim të dytë”, shtoi ai.