Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Tashmë radhën e ke ti”, gazetari: Vis Martinajt i çuan fjalë një javë para zhdukjes

Gazetari Igli Çelmeta ka zbuluar se Ervis Martinaj kishte marrë një mesazh disa ditë para se të zhdukej.

I ftuar në rubrikën “Kjo Javë” në News24, Çelmeta tha se pas ekzekutimit të kushëririt të tij, Brilant Martinaj, Ervis Martinajt i kanë çuar fjalë, duke e kërcënuar dhe i kanë thënë “tashmë radhën e ke ti”.

Sipas Çelmetës, Policia e Shtetit e di të vërtetën për Ervis Martinajn por nuk e thotë sepse ka të implikuar jo vetëm anëtarë të grupeve kriminale, por edhe efektivë e njerëz nga politika.

“Pas disa ngjarjeve të rënda kriminale, vrasja e kushëririt në 17 korrrik, atentati ndaj krahut të djathtë Ylli Ibrahimi dhe 1 javë më pas, këtë informacion e ka edhe Policia e Shtetit, Ervis Martinajt i kanë çuar fjalë, duke e kërcënuar, i kanë thënë që “tashmë radhën e ke ti”. Janë bërë bashkë disa banda kriminale, ka edhe implikim të Policisë së Shtetit në këtë ngjarje, punonjës të cilës.

Policia e Shtetit e di të vërtetën për Ervis Martinajn por nuk e thotë. E vërteta e Ervis Martinajt lidh shumë fusha përveç krimit të organizuar, lojërat të fatit dhe Policisë së Shteit, lidh edhe politikën. Kanë kaluar dy vite nga zhdukja e Ervis Martinajt. E vërteta e Ervis Martinajt do të lihet enigmë, nuk do të zbardhet.

Ka shumë zyrtarë të policisë, drejtues të saj që merrnin haraçin nga Martinaj i cili kontrollonte lojërat e fatit dhe ndonte të ishte i paprekshëm duke kontrolluar territorin. Përfshirja e drejtuesve të Policisë bën që kjo ngjarje të mos zbardhet,”- tha Çelmeta.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit 2022 dhe deri më tani, fati i tij është mister. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles.