Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar që të shpallen zgjedhjet e reja, pas situatës së krijuar në nivel vendi me vendosjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian.
Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Krasniqi ka kërkuar që shkuarja në zgjedhje të bëhet përmes dorëheqjes së kryeministrit Kurti apo me shpërndarje të Kuvendit.
Numri një i PDK-së, tha se do t’i ndërprenë komunikimet me krerët e shtetit, për të cilët i bëri fajtor për situatën aktuale.
“Partia Demokratike e Kosovës do të pezullojë çdo komunikim zyrtarë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, përmes dorëheqjes së Kryeministrit apo përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka paralajmëruar edhe bojkot të punës së Kuvendit, për të cilat tha se nuk do të votojnë në seanca e komisione parlamentare.
“Duke pasur parasysh të gjitha këto, Partia Demokratike e Kosovës, nga sot nuk do të votojë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës dhe për asnjë vendim, rezolutë, ligj, marrëveshje ndërkombëtare apo dokument tjetër, ndonëse do të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës për të ngritur zërin dhe për të folur për këtë rrezikim që po i bëhet Kosovës nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës”, tha tutje Krasniqi.