Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Të guximshme, të bukura dhe komode, tendencat e arredimit të tualetit në 2024

Bota online sot të jep mundësinë dhe flet shumë për trendet që do të jenë më “IN” të momentit, po ashtu dhe ato që do të jenë jashtë mode për një vit të caktuar. Dhe këtë nuk e bëjnë njerëz të thjeshtë, por të fushës, sugjerimet e të cilëve nuk gabojnë kurrë.

Emily Hendeson, dizajnere e ambienteve të brendshme ose e njohur ndryshe si “interior designer” është një blogere që jep këshilla jo vetëm për të ndjekur thjeshtë modën, por për atë se çfarë mund t’i mungojë ambienteve tuaja të brendshme për t’u dukur bukur, e mbi të gjitha të ndihet komoditeti.

Në këtë artikull ajo na sjell 6 tendencat e tualetit për vitin 2024, që janë të guximshme dhe veçanërisht të bukura.

Lavaman me pëlhurë
Ky është një nga trendet që është rikthyer në modën e dizenjimit. Dikur e kemi parë ndoshta të përdorur për të fshehur pjesët e poshtme të lavamanit, por sot edhe nëse pjesët e poshtme të tij duken bukur, një pëlhurë përsipër jep më tepër elegancë. Kjo është një mënyrë e lehtë që nuk ka nevojë për investim dhe herë pas here mund ta ndryshosh nëse ndërron mendje.
Pllaka me ngjyra të mbyllura
Pllakat me ngjyra të mbyllura funksionojnë mirë në çdo madhësi tualeti dhe sidomos në një të vogël. Klisheja se një tualet i ngushtë duhet të jetë i bardhë për të të krijuar ndjesinë e një ambienti të madh, bie poshtë. Veshja e mureve me ngjyrë kafe të errët, në vishnje dhe me thyerje “tek-tuk” me pllaka akoma më të errëta do të ishte një pamje ideale. Akoma dhe më perfekte kur shtohet elementi i drurit, bronzit dhe mermerit.
Elementi i drurit
Veshjet e mureve me dru në pjesët ku nuk ka kontakt me lagështirën janë një nga dizajnët më të preferuara. Ajo që sugjerohet në këtë rast është të përdoren në tualete ku depërton ndriçimi natyral. Fakti që rrezet e diellit do të “puthen” me drurin, i gjithë shkëlqimi që do të dhurohet të jep një ndjesi shumë pozitive. Me bindje që do të harroni të dilni nga banja.
Dysheme me mozaik
Dyshemetë marrin një pjesë të vëmendjes më të madhe kur bëhet fjalë për dizajn dhe ato me mozaik janë rikthyer fuqishëm në trend. Janë të frymëzuara nga një stil “vintage” të përbëra nga pllaka të vogla me forma, lule, bardh e zi, etj.
Muret me suva
Ndonjëherë njerëzit priren ta veshin murin e tualetit me pllaka deri në afërsi të tavanit dhe për sa kohë bëhet zgjedhja e elementeve të duhura dhe të përshtatshme nuk është aspak problem, por një trend i fundit është edhe muri me suva. Dhe kjo nuk është vetëm e këndshme për tualetin, por mund të përdoret në të gjitha ambientet e shtëpisë. Konkretisht për në tualet përdoret një material i quajtur tadelakt, që është rezistent ndaj ujit.