Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Të paktën 10 të vdekur në Bullgari, Turqi dhe Greqi pas përmbytjeve nga reshjet e shiut

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur kanë çuar në të paktën 10 të vdekur në Bullgari, Turqi dhe Greqi.

Autoritetet në Bullgari  thanë se dy burra dhe një grua vdiqën – trupi i gruas thuhet se ishte nxjerrë në det.

Një nga burrat që vdiq ishte duke punuar në shtëpinë e një nëne dhe një vajze që ende ishin të zhdukur, thanë raportet bullgare.

Ministri i Mjedisit Julian Popov tha se Bullgaria do të duhet të presë reshje më serioze dhe më të shpeshta në të ardhmen për shkak të ndryshimeve klimatike.

Uji po ashtu kaloi nëpër rrugë në qytetin më të madh të Turqisë , Stamboll, duke përmbytur  makinat dhe duke bllokuar njerëzit në një bibliotekë lokale, raporton BBC.

Dy persona vdiqën në qytet, pasi përmbytjet e shpejta i kthyen rrugët në disa lagje perëndimore në lumenj dhe një stacion metroje në Kayasehir u përmbyt.

Një nga ata që vdiqën ishte një grua që thuhet se u përfshi nga përmbytjet.

Tutje thuhet se tre persona të tjerë vdiqën dhe tre u zhdukën në provincën Kirklareli, jo shumë larg kufirit veriperëndimor të Turqisë me Bullgarinë. Disa shtëpi u vërshuan nga përmbytjet në qytetin Igneada në bregun e Detit të Zi.

Shiu i rrëmbyeshëm dhe përmbytjet kanë shkaktuar edhe dy të vdekur në Greqi , e cila është goditur nga stuhia Daniel.

Zona më e rëndë e prekur është rajoni bregdetar qendror i Magnezisë, për të cilin meteorologët thanë se kishte patur aq shumë reshje në 24 orë sa zakonisht kishte gjatë një vjeshte të tërë.

Trupi i një burri u gjet pasi një mur ra mbi të në Volos të martën dhe një grua 87-vjeçare u gjet e vdekur në të njëjtin rajon të mërkurën.

Rrëshqitjet e dheut mbyllën rrugët dhe shumë banorë të moshuar në zonën përreth malit Pelion u bllokuan në shtëpitë e tyre.