Të paktën 17 palestinezë janë vrarë dhe 50 të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve izraelite në mëngjesin e 14 korrikut në Gazë, thanë zyrtarët e emergjencave civile dhe zyrtarët shëndetësorë.
Katër sulme të ndara ajrore shënjestruan katër shtëpive në zona të ndryshme të Qytetit të Gazës.
Banorët dhe autoritetet shëndetësore palestineze kanë thënë se ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet ajrore dhe granatimet në këtë qytet.
Sulmet e së dielës vijnë pasi një ditë më parë, nga një sulm ajror izraelit u vranë të paktën 90 palestinezë në një zonë të shpallur humanitare në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në këtë territor palestinez në javët e fundit.
Izraeli tha se sulmi shënjestroi shefin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, por është e paqartë nëse ai është vrarë.
Hamasi tha se pretendimet e Izraelit se ka shënjestruar liderë të grupit janë të rreme dhe vetëm janë bërë për të justifikuar sulmin.
Izraeli nisi ofensivën e tij në Gazë pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit, kur në jug të Izraelit u vranë afër 1.200 persona dhe u plagosën afër 250 të tjerë.
Që atëherë, si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 38.000 persona dhe janë plagosur mbi 88.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor.
Tags: GazaPalestinezësulm