Një sulm ajror izraelit ndaj një shkolle, ku po strehohen personat e zhvendosur në Gazën qendrore, la të vrarë të paktën 17 persona, shumica gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë më 24 tetor.
Edhe 42 persona u plagosën gjatë sulmit në kampin e refugjatëve në Nuseriat, sipas spitalit Avda, që ka pranuar të plagosurit.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë, në mesin e të vrarëve ishin shtatë fëmijë – më i vogli 11 muajsh – si dhe tri gra.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë sulm.
Muajve të fundit, Izraeli ka sulmuar disa shkolla, të shndërruara në strehimore, duke thënë se shënjestron luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që fshihen në mesin e civilëve. Nga këto sulme shpesh vriten gra dhe fëmijë.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke marrë pengë afër 250 të tjerë. Afër 100 pengje janë ende brenda Gazës, një e treta e të cilëve besohet se kanë vdekur, shkruan REL.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, institucion që nuk tregon se sa nga viktimat ishin luftëtarë, por thotë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite ka deklaruar se ka vrarë më shumë se 17.000 luftëtarë, pa ofruar dëshmi për këtë pretendim.
Si pasojë e luftës, afër 90 për qind e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, janë zhvendosur disa herë. Qindra mijëra persona janë të strehuar në kampe me tenda.
Tags: GazaNuseriatsulm izraelit