Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Të zhdukurit plagë që nuk shërohet kurrë, KNKK: Shtetet janë të obliguara të japin përgjigje për fatin e të pagjeturve

 
   

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thekson se kanë kaluar më shumë se 25 vjet që nga lufta në Kosovë dhe familjet e mbi 1,600 personave të zhdukur ende presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

KNKK në një komunikatë për media thekson se çdo vit, 30 gushti është një mundësi për t’u solidarizuar me familjet e personave të zhdukur dhe për të përkujtuar të afërmit e tyre të zhdukur.

“Kanë kaluar më shumë se 25 vjet që nga konflikti i armatosur në Kosovë dhe familjet e mbi 1,600 personave të zhdukur ende presin përgjigje për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, thuhet në njoftim.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, Koordinatorja Rajonale për Mbrojtje për Ballkan dhe Kryesuesja e Grupit Punues për Persona të Zhdukur në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), Aurelie Gautier, tha “ne duam që familjet e personave të zhdukur ta dinë që nuk janë vetëm, të dashurit e tyre nuk janë harruar dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë çmos për t’i ndihmuar ato që të marrin përgjigjet dhe mbështetjen që e meritojnë”.

KNKK thotë se ka vazhduar hulumtimin në arkivat ndërkombëtare dhe kombëtare që mund të përmbajnë dokumentacion dhe informata që mund të ndihmojnë në kërkimin, zhvarrosjen dhe procesin e identifikimit të personave të zhdukur.

“Një analizë e thukët e këtyre dokumenteve është duke u bërë në vazhdimësi, dhe me të dyja palët, rregullisht ndahen raporte analitike me rekomandime, në përpjekje për të sqaruar fatin dhe vendndodhjen e sa më shumë personave të zhdukur.

Këtë vit, përveç rifillimit të takimeve në nivel teknik, KNKK ka kryesuar edhe dy seanca pune të Grupit Punues dhe palët janë zotuar për të adresuar disa lokacione të dyshuara të vendvarrezave”, thuhet në njoftim.

Me këtë rast u është bërë thirrje autoriteteve në të dyja anët që urgjentisht të përmbushin angazhimet e tyre, të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të rrisin përpjekjet e tyre në zgjidhjen e këtij problemi humanitar që vazhdon të prekë familjet dhe shoqëritë në përgjithës.

Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, familjet e personave të zhdukur kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe shtetet janë të obliguara t’u japin atyre përgjigje dhe mbështetje.