Telekomi i Kosovës brenda pak ditësh në Prishtinë do të përfundojë vendosjen e pajisjeve të reja të teknologjisë së fundit 5G, ndërsa deri në fund të vitit do të përfundojë modernizimi i rrjetit në tërë Kosovën.
Kjo u bë e ditur nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e cila sot së bashku me kryeshefen ekzekutive të Telekomit të Kosovës Burbuqe Hana, kanë përcjellë nga afër zëvendësimin e një BTS-je në qendër të Prishtinës, pikërisht mbi ndërtesën ku është e vendosur Ministria e Ekonomisë.
Rizvanolli ka theksuar se zëvendësimi i teknologjisë është pjesë e modernizimit të rrjetit mobil në Kosovë.
Ajo ka falënderuar drejtuesit dhe punonjësit e Telekomit për përkushtimin e tyre, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve ta ndjekin Telekomin për informacione e udhëzime teknike, për t’u siguruar që të kenë qasje në shërbimet e fundit të teknologjisë 5G.