Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që procesi mësimor të përfundojë gjatë ditës së premte.
Kjo pasi që shumica e institucioneve publike arsimore nuk janë të pajisura me sistemin e klimatizimit dhe se procesi i vlerësimit tek nxënësit thuajse ka përfunduar, andaj edhe është kërkuar që të premten të përfundohet viti shkollor.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka rekomanduar shkurtimin e orarit në institucione dhe shkolla të cilat nuk kanë kondicioner, për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë. Sipas IHMK-së, orët mësimore duhet të shkurtohen nga 45 minuta sa janë tani në 30 minuta.
Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve, përpos rekomandimeve nga IKSHPK-ja dhe IHMK-ja, ka thënë se Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që procesi mësimor të përfundojë gjatë ditës së premte, pasi, sipas Islamit, shumica e institucioneve publike arsimore nuk janë të pajisura me sistemin e klimatizimit dhe se procesi i vlerësimit te nxënësit ka përfunduar.
“Duke i parë kushtet aktuale të shkollave dhe mungesa e klimatizimit në shumicën e shkollave dhe temperaturat e larta, procesi mësimore ka filluar që orët të shkurtohen. Ky rekomandim pritet të miratohen nga MASHT-it dhe do të shkurtohen orët, pasi është edhe fundi i vitit shkollor dhe nesër të jetë dita e fundit e mësimit. Të premten dhe të hënën do të ketë mësim, por kërkojmë që nesër të përfundohet pasi vlerësimi i nxënësve thuajse ka përfunduar”, ka thënë Islami në Dukagjini.
“Rekomandimi për shkurtimin e orëve mësimore nga 45 minuta në 30 minuta”, Besim Aliu nga IHMK-ja ka theksuar se kanë marrë parasysh rekomandimet e IKSHPK-së, andaj kanë kërkuar që të zvogëlohet ora e mësimit dhe “mosekspozimi” në rrezet direkte të diellit, duke mos rrezikuar fëmijët për ndonjë simptomë të mundshme.
“Stina e Verës do të fillojë sonte në 22:50, temperaturat kanë qenë të larta. Ky muaj zakonisht ka mbizotëruar temperaturat e larta mbi 30+ gradë celsius. Nuk kemi vranësira dhe lagështira të ajrit është e ulët rreth 30% dhe kemi erë të vogël të qarkullimit. Ditët vijuese do të jenë +35-36 gradë celsius. Nuk parashihet të kenë reshje të shiut. Do të kemi më pak reshje atmosferike sesa avullim. Nga ora 10;00 deri 17:00 të mos i ekspozohemi rrezet të diellit ose të jemi me maska mbrojtëse, si sinjal për të kërkuar zvogëlimin e orëve të mësimit”, ka thënë Aliu.
E doktoresha Shpresa Krasniqi ka thënë se duhet të kemi shumë kujdes për rreziqet potenciale që mundet t’i sjellin temperaturat e larta, shkaku të mos kemi ndonjë telash shëndetësor. Ajo ka shtuar se procesi mësimor rekomandohet që të zhvillohet në orët e hershme të paradites ose në orët e pasdite.“Simptomat mund të jenë si: dehidratim, plogështi, marramendje, pastaj ka filluar të shfaqet rotavirusi tek fëmijët e vegjël”, ka deklaruar Krasniqi.