Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) së bashku me kryetarët e gjykatave, kanë mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme me ç’rast KGJK ka autorizuar kryetarët e gjykatave që varësisht nga gjendja në objektet e Pallatit të Drejtësisë, të vendosin për reduktimin e punës, për shkak të temperaturave të larta.
Takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit është mbajtur me qëllim të diskutimit lidhur me situatën e krijuar në Pallatin e Drejtësisë, si pasojë e mos funksionimit të sistemit të klimatizimit dhe rritjes së temperaturës në ambientet e punës deri në 35 gradë celsius.
Në këtë situatë, gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës Supreme, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës janë duke punuar në kushte alarmante të punës, si rezultat i mos funksionimit të sistemit të ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë.
KGJK dhe kryetarët e gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë, me datë 24 korrik 2023, i’u drejtuan me letër të hapur: Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendës Kryeministrit, Besnik Bislimi, Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.