Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Temperaturat ekstreme ‘përvëlojnë’ Tiranën/ Thyhet rekordi i vendosur në 1973, ja sa ishte temperatura që regjistroi termometri

Tirana ka shënuar një rekord të ri sa i takon temperaturave maksimale që janë regjistruar deri tani. Ditën e djeshme, 25 korrik 2023, Instituti i Gjeoshkencave ka shënuar temperaturën rekord për kryeqytetin: 42.1 gradë Celcius.

Kjo temperaturë është rekord i ri për Tiranën duke thyer dhe rekordin që ishte shënuar në 1973

Rekord për qytetin e Tiranës ishte dita e djeshme. Stacioni meteorologjik i vendosur brenda unazës në Tiranë ka regjistruar dje temperaturën 42.1 gradë Celcius. Nëse i referohemi 1973, Tirana ka qenë në vlerat 41.5 gradë. Këtë vit është shënuar më e lartë 42.1 gradë. Shumë nxehtë’ tha Anira Gjoni, specialiste e IGJEUM në një intervistë për emisionin “Sot live në Shqipëri”.

Ndërkohë javën e kaluar në Tiranë është regjistruar temperatura maksimale 37 gradë.

Edhe gjatë natës temperaturat që janë regjistruar në Tiranë kanë qenë shumë të larta.

“Temperaturat minimale për gjatë dy netëve që lamë pas kanë qenë shumë të larta. Janë regjistruar 26 gradë dhe 27 gradë Celcius në Tiranë. Çka do të thotë se kanë qenë shumë të larta për temperatura maksimale. Pasi maksimumi vlerat minimale në vendin tonë shkojnë deri në 23 gradë, nuk janë normale të qëndrojnë në vlerat 26 -2 7 gradë Celcius siç kanë qenë në dy netët e fundit” tregon Gjoni për gazetarin Nertil Agalliu

Në cilin qytet u shënuan temperaturat më të larta dje?

Kuçova ka regjistruar temperaturën absolute më të lartë. 44 gradë. Ndërkohë në Fier është shënuar temperatura 43 gradë Celcius

“Por këto të dhëna i quajmë operacionale dhe do të bëhet një përpunim dhe rivlerësim në fund të muajit” sqaron Anira Gjoni.

Po si do të jenë temperaturat në ditët në vijim?

Pritet që të ketë një ulje të temperaturave dhe të kthehen në vlera normale për muajin korrik

Në zonat bregdetare të shkojë temperatura maksimale në 28 gradë Celcius.

Në zonat e ulëta të shkojë temperatura maksimale 30 gradë Celcius.

Në zonat malore të shkojë temperatura maksimale 25 gradë Celcius.

Gjatë fundjavës do të kemi nivele normale të temperaturave deri në 35 gradë Celcius. Kjo do të vijojë deri në ditët para të gushtit 4- 5 gusht ku pritet të kemi temperatura të larta por jo në nivele ekstreme siç kishim në këto dy javë që lamë pas.

Po shi?
Gjatë mëngjesit të nesërm priten reshje të dobëta, por janë lokale dhe nuk do ju prishë pushimet, thjesht do të freskojë pak kohën.