Derisa do t’i duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Shtetit për keqpërdorimin e informatave në një proces të prokurimit publik, zyrtari i Prokurimit në Spitalin e Gjilanit i ka hapur sërish ofertat për të njëjtin tender.
Gzim Shala do të duhet të përballet me drejtësinë mbi dyshimet për favorizimin e një kompanie në një tender të vlefshëm 750 mijë euro në Spitalin e Gjilanit.
Shala, i cili është zyrtar Përgjegjës i Prokurimit në Spitalin e Përgjithshëm, është akuzuar nga Prokuroria e Shtetit për favorizimin e një kompanie në tenderin për “Shërbimet e pastrimit të brendshëm dhe sanitarisë në Spitali Përgjtihshëm Gjilan”.
Në një aktakuzë të ngritur kundër tij më 17 maj të këtij viti, Prokuroria e Gjilanit e ngarkon Shalën me akuzën e keqpërdorimit të informatës zyrtare. Aktakuza thotë se Gëzim Shala ia kishte dërguar një kompanie përmes USB-së ofertat e të gjitha kompanive të tjera ofertuese në tender.
Fituese e tenderit nuk ishte shpallur kompania Aroma Plus, me seli në Prishtinë, të cilës zyrtari dyshohet se ia kishte dërguar ofertat e kompanive të tjera konkurruese në proces.
“Ofertat për tenderin në fjalë ishin hapur me dt. 24.01.2023″, thuhet në aktakuzë. “Pas hapjes se ofertave, i pandehuri ne mënyre te kundërligjshme tërë dokumentacionin e gjashtë operatorëve të tjerë, përmes USB-së ia dërgon menaxherit të kompanisë ‘Aroma Plus’ SH.P.K në Prishtinë, Skender Krasniqit dhe në këtë mënyrë i pandehuri e ka keqpërdorur informatën zyrtare”.
Pak më shumë se tre muaj pas aktakuzës, i njëjti zyrtar, i pa ndëshkuar nga Spitali i Përgjithshëm në Gjilan, ka nënshkruar urdhrin për hapjen e procedurës së re të tenderimit për të njëjtin tender.
Të enjten e 23 gushtit, Gzim Shala, në cilësinë e zyrtarit të Prokurimit në Spitalin e Gjilanit, ka nënshkruar njoftimin për inicimin e procedurës së ritenderimit për tenderin: “Shërbimet e pastrimit të brendshëm dhe sanitarisë në Spitali Përgjtihshëm Gjilan”.
Për dallim nga tenderi i parë, në ritenderim, në duart e zyrtarit të dyshuar për veprime të dyshuara korruptive janë edhe rreth 100 mijë euro më shumë të alokuara nga buxheti i shtetit për tenderin e njëjtë.
Vlera e parashikuar e tenderit, sipas Dosjes së Tenderit të publikuar në platformën e-prokurimi, është 846,000.00 euro.
Shala, para hetuesve policorë kishte deklaruar se ia kishte dërguar padashje menaxherit të kompanisë “Aroma Plus” ofertat e gjashtë kompanive tjera ofertuese në tender.
“Deklaroi se nuk jam i obliguar qe dokumentacionin e operatoreve ekonomik ta futi ne USB e sa i përket futjes se dokumentacionit te ofertuesve ne USB-i ju njoftoj se paraprakisht mua me ka thirr ne telefon Diar Krasniqi, djalë i Mervete Krasniqit pronare e Kompanisë ‘Aroma Plus” SH.P.K, i cili është interesuar për hapjen e ofertave por edhe ishte i interesuar ta kuptoj se si kishte ndodhur qe operatoret tjerë ekonomik te afrojnë çmime më të lira”, ka thënë fillimisht ai.
“Më pas ka ardhur ne zyrën time Merita Ismajli, të cilën e kishte dërguar Diari për ta kërkuar procesverbalin e hapjes së ofertave, me c’rast kam pranuar USB-in nga Merita Ismajli, e duke ngarkuar procesverbalin e hapjes se ofertave ku kane qasje të gjithë operatorët ekonomik, pa dashje e kam selektuar tërë materialin e të gjithe operatoreve ekonomik ngase në atë moment me kane telefonuar nga familja dhe me kane njoftuar se vajzën e kisha te sëmurë nga temperatura dhe pa dashje tere dokumentacionin e te gjithe operatoreve ekonomik e kam fut ne USB, te cilen e ka pranuar Skender Krasniqi”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk e kishte rekomanduar për fituese të kontratës kompaninë “Aroma Plus”, por një kompani tjetër që kishte ofertuar me çmim më të lirë dhe që ishte shpallur ofertë e përgjegjshme.