Opozita në Shqipëri ka penguar vijimin normalisht të seancës. Deputetët demokratë kërkojnë që në rendin e ditës të futet kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.
Teksa në foltore ishte, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili duhet të raportojë për 14 Majin, deputetët opozitarë kanë rrethuar foltoren duke mos lejuar që seanca të vijojë.
Kjo ka bërë Lindita Nikollën, kryetaren e Kuvendin, që të japë 5 minuta pushim.
Seanca e kësaj të enjteje është përfshirë nga debatet mes mazhorancës dhe opozitës për rastin e Arben Ahmetaj. Opozita kërkon që të kalojë në Kuvend raporti i saj në Këshillin e Mandateve.
“Hidheni në votim kërkesën tonë për të futur në rend të ditës raportin e opozitës për kërkesën e SPAK. Rrëzojeni, por të shënohet në procesverbal se deputetët e mazhorancës i dhanë Arben Ahmetaj 4 ditë kohë për të intimiduar prokurorët dhe të prishë provat. Po bëheni pengesë e drejtësisë”, u shpreh Gazment Bardhi.
Mazhoranca nuk e ka ndryshuar rendin e ditës, me argumentin se do të zbatohet procedura për këtë rast. Raportet për çështjen e imunitetit të Ahmetajt do të kalojnë në parlament të hënën më 17 Korrik.
Po ashtu, opozitarët kanë kërkuar që të vijë në parlament edhe kryeministri Edi Rama që të japë llogari për këtë çështje.
Kreu i qeverisë nuk ka qenë i pranishëm në asnjë moment gjatë seancës. Ai ka pasur një reagim në rrjetet sociale dhe këtë për dhunën që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës./tvklan.al
Tags: Kuvendi i ShqiperiseOpozitapengimi i foltores