Mbledhja e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Kryeqytetit, me pikën e vetme të rendit të ditës: Propozim-vendimi lidhur me miratimin e Raportit për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera pas vërshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës në vitin 2023 është përcjellë me tensione të shumta.
Situata madje ka eskaluar derisa në momentet e fundit janë evituar përplasjet fizike të kryeasambleistit të LVV-së Gëzim Sveçla me asamblistët e LDK-së.
Pasi kryetari Përparim Rama ka kërkuar nga asamblistët që të votojnë pikën e rendit të ditës në mënyrë që fermerët e dëmtuar të marrin ndihmat e nevojshme për zhvillimin e fermave të tyre, fjalën e ka marrë Gëzim Sveçla, njofton Telegrafi.
Sveçla nga vendi i tij ka folur për ngjarjet e ditës paraprake derisa i është tërhequr vërejtja nga kryesuesi Ajet Brajshori për të folur për pikën e rendit të ditës.
Asamblisti i LVV i pakënaqur ka dalë të flasë nga foltorja qendrore e kuvendit komunal duke mos ndryshuar temë.
Në këtë rast atij i është ndalur mikrofoni.
Në tension e sipër asamblisti Sveçla i është drejtuar kryesuesit “ose ma lëshon fjalën ose nuk mbahet seancë këtu”.
Më pas ai ka marrë me forcë mikrofonin e kryesuesit duke vazhduar fjalën.
Situata e tensionuar ka vazhduar edhe më tej derisa për pak janë evidentuar edhe përplasjet fizike mes Gëzim Sveçlës dhe asamblistëve të LDK-së.