Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Tensionet në veriun e Kosovës – Amerika ‘kërcënon’ Qeverinë Kurti me sanksione dhe hyrjën në Listën e Zezë

Gjatë ditës së sotme është publikuar një listë me sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundër Kosovës.

E krejt kjo mund të ndodh nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk lëshon pe në veriun e Kosovës, ashtu siç po kërkojnë ndërkombëtarët.

Një presion i jashtëzakonshëm është duke ndodhur ndaj Kurtit, megjithatë kryeministri është duke qëndruar stoik në qëndrimet e tij.

Sipas raportimeve në media, faza e parë e sanksioneve do të përfshinte ngrirjen e të gjitha fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës, fondet amerikane dhe projekte të tjera të financuara nga Perëndimi.

Faza e dytë do të ishte qëndrimi pasiv i aleatëve të Kosovës ndaj fushatës së Serbisë për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, një riorganizim i prezencës ushtarake ndërkombëtare dhe një reduktim në shkallë të gjerë i kontigjentit amerikan në Kosovë, si dhe përjashtimi i Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

Ndër tjera në dokumenti parashikohen sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, nëse situata në terren degradon më tej.

Kjo mund të përfshijë shpalljen non grata të dy zyrtarëve, “me justifikimin se ata janë një kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Dokumenti thotë se “komuniteti ndëratlantik ka një nevojë jetësore për të mos lejuar një krizë pas linjave të kontaktit me Rusinë… me bindjen se problemet do të dilnin nga ana e Serbisë, pas planit franko-gjerman, si pala më kokëfortë dhe jokonstruktive në dialog”.

Teksti vijon, “askush nuk e priste që do të ishte qeveria e Kosovës, ajo që me veprimet e saj, do të nxiste pasigurinë dhe do të ushqente konflikte dhe kriza”.

Kurse, më vonë gjatë ditës, kryeministri Kurti, tha se ka ofruar një “dalje të qëndrueshme dhe të sigurt” nga kriza në veri, e cila, sipas tij është shkaktuar “nga strukturat ilegale dhe paralele të Serbisë atje”.

Ai tha se këtë qëndrim e ka dhënë gjatë takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, dhe atë evropian, Mirosllav Lajçak, të mbajtur në Prishtinë më 5 qershor.

“E para është sundimi i ligjit. Kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë të cilët ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm, e të grupeve kriminale. Në Kuvendin e Kosovës unë i kam përmendur 33 emra, 5 të tjerët janë në burg, të tjerët nuk janë. Dhe të gjithë këta kriminelë, ekstremistë të dhunshëm që silleshin atë ditë porsi një milici fashiste do të duhej që sa më parë të përballen me drejtësinë. Ka prej tyre që kanë ardhur nga Serbia në Kosovë. Pra, pika e parë është sundimi i ligjit”, tha Kurti gjatë një deklarimi për media.

Ai tha se këto “grupe kriminale” duhet të përballen me drejtësinë për “krimet dhe shkeljet që kanë bërë, prej djegies së veturave e te plagosjet me armë zjarri, shok-bomba e granata dore”.

“E dyta është që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimit të të gjitha trazirave të dhunshme, të kemi zvogëlim të pranisë së policisë nëpër ndërtesa komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme sepse jemi të vetëdijshëm që dalja ka qenë shumë e ulët herën e kaluar. Pra, po zgjedhje të reja, zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe pas përgatitjes së terrenit”, tha Kurti.

“Unë jam i gatshëm për diskutime, bisedime, por ritheksoj, republikën tonë demokratike, shtetin tonë të pavarur, Kosovën sovrane nuk e dorëzojmë asnjëherë, për asnjë çmim para milicisë fashiste, para këtyre grupeve kriminale e ekstremistëve”, tha Kurti.

Në lidhje me këtë çështje, analisti politik profesor Sulejman Mehazi thotë se, në veri protestuesit dhe kriminelët serbë ishin të nxitur nga presidenti Aleksandër Vuçiq, ndërsa shton se ndërkombëtarët nuk janë në anën e Kurti por të asaj serbe.

“Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës nga protestuesit agresivë e kriminelë serbë të porositur e të nxitur nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq zbuluan hapur sekretet djallëzore politike e diplomatike se kurrsesi nuk janë dakord për mbrojtjen e pavarësisë së plotë të Kosovës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por janë në anën e putinistit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, i cili dëshiron një republikë serbe të dytë boshnjake dhe në territorin e Kosovës”, thotë Mehazi.

Sipas tij, problematika e situatës së rëndë në veri të Kosovës për SHBA-në e BE-në nuk janë protestuesit e pacipë e agresivë serbë, por kryeministri i Kosovës, duke shtuar se, vetëm për shkak politikës së tij shtetërore amerikanëve e evropianëve ua ka shpërqëndruar varësinë politike të Kurtit ndaj tyre.

Ai pohon se ndërkomëbtarët kërkojnë që kryeministrit të Kosovës t’ia imponojnë politikën e tyre robëruese e përkulëse.

“Problemi tjetër është se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ua prishë planet gjeostrategjike diplomacisë amerikane e evropiane për ta sakrifikuar e coptuar Kosovën në veri me nje republikë serbe për ta ndarë Serbinë nga Rusia. Problemi tjetër avansues ndaj Serbisë është se me anë të Grenellit e Brnabiqit Lobi serboamerikan është bërë aq i fuqishëm sa që të gjithë diplomatët ndërkombëtar janë bërë zëdhënës të Vuçiqit, përkundër lobit shqiptaro-amerikane që janë ndarë e përçarë në nahije qytetesh e krahinash shqiptare”, thotë profesori.

Ai pohon se, qëllimi ndërkombëtar është që të sakrifikohet Kosova me një republikë serbe që për ta ndarë Serbinë nga Rusia.

“Pjesëmarrja e policisë së Kosovës në mbrojtje të komunave në veri zbuloi dhe diçka tjetër, se ndërkombëtarët po mbrojnë shtetin më gjenocidial në botë, Serbinë, se miqtë kriminelë mbrojnë kriminelin e Serbisë Vuçiqin, se e keqja fiton për shkak se të këqinjtë kanë shoqëri më të madhe sesa i miri e i drejti Albin Kurti”, përfundon profesori Sulejman Mehazi.