Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala, reagon Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tentim-sulmit ndaj gazetarit Berat Buzhala, nga siç ka thënë ky i fundit, dy aktivistë të VV-së.

Buzhala më herët me anë të një postimi në Facebook ka treguar se si ka rrjedhur ngjarja, teksa ka rrëfyer se të njëjtit ishin duke e pritur pasi që ai po dilte nga barnatorja, shkruan lajmi.net.

“Ne presence te kater pese vetave, te barnatorja Rexal ne Prishtine, dy vagabonda te Vetevendosjes deshten me me sulmu.Madje kjo ngjarje kish me shku shume ma keq, nese paraprakisht nuk do te me kishte paralajmeru nje vajze qe i kish degju tuj fole, gjate kohes kur une isha brenda”, shkroi më herët Buzhala.

E Osmani me anë të një postimi në Facebook ka thënë se e drejta e lirisë së mendimit dhe liria e medias janë të drejta themelore të garantuara me Kushtetutë.

Sipas saj, çdo cënim i punës së mediave, është cënim edhe i demokracisë.

Ajo ndër të tjera ka ftuar organet e drejtësisë ta hetojnë rastin.

Postimi i plotë:

E drejta e lirisë së shprehjes dhe liria e medias janë të drejta themelore të garantuara edhe me Kushtetutë. Çfarëdo cenimi ndaj punës së mediave, respektivisht gazetarëve, është cenim ndaj demokracisë si vlerë sublime.
Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe. Ftoj autoritetet e rendit ta hetojnë rastin.
Gazetarët duhet ta gëzojnë fjalën e lirë, konform standardeve profesionale dhe ligjeve në fuqi. Ata këto ditë janë heronj gati po aq sa mjekët, infermierët, policët dhe shërbyesit e tjerë emergjentë që janë mobilizuar kundër pandemisë Covid-19. Prandaj duhet t’i përkrahim që të gjithë. /Lajmi.net/

Author: Fiks AL