Një tërmet i fuqishëm është ndier në mbarë Kaliforninë veriore më 5 dhjetor dhe autoritetet kanë lëshuar paralajmërimin për cunami.
Sipas Shërbimit gjeologjik amerikan tha se tërmeti ishte 7 shkallë i Rihterit dhe goditi në një thellësi prej 10 kilometrash.
Tërmeti goditi në orën 10:44, sipas kohës lokale. Epiqendra ishte në perëndim të Ferndale, një qytet i vogël në qarkun Humboldt, që gjendet afër kufirit me Oregonin, tha Shërbimi gjeologjik amerikan.
Dridhjet e tokës u ndien deri në San Francisko, ku banorët thanë se dridhjet zgjatën për disa sekonda.
Autoritetet në San Francisko kanë ndërprerë trafikun përmes një kanali nënujor që lidh San Franciskon me Oklandin.
Në paralajmërimin për cunami në Kaliforninë e veriut, Shërbimi Kombëtar amerikan i Motit tha:
“Një sërë valësh të fuqishme dhe rryma të forta ujore mund të prekin brigjet afër jush. Ju jeni në rrezik. Largohuni nga ujërat bregdetare. Shkoni në vende që janë më lart dhe larg brigjeve. Mos u afroni pranë brigjeve, derisa zyrtarët lokalë t’iu njoftojnë për të kundërtën”.
Të paktën 5.3 milionë persona në Kaliforni gjenden në zonën ku autoritetet kanë lëshuar paralajmërimin për cunami. Shërbimi gjeologjik amerikan tha se pret dëme të vogla nga dridhjet e tokës.
Më shumë se 1.3 milion banorë jetojnë afër zonës ku u ndie tërmeti, vlerësoi ky shërbim.
Pas tërmetit së parë, është raportuar edhe për pasgoditje me shkallë më të vogël./REL/