Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Tërnava uron Kurban Bajramin, lutet për stabilitet në Kosovë e për paqe në Palestinë dhe Ukrainë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar besimtarëve myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku bëri thirrje për paqe në vend e botë.

Tërnava tha se sot është dita më e vlefshme e vitit, ajo e Arafatit, teksa i uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, festë e cila sipas tij, karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificën e therjes së kurbanit.

“Ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë, ditë për të cilën u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova të fitojë pavarësinë e saj”.

“Së bashku me miliona haxhilerë nga e mbarë bota, të cilët sot gjenden në Mekën e shenjtë janë edhe një numër i konsiderueshëm nga Kosova por edhe nga mërgata e largët të cilët bëjnë lutje për faljen e mëkateve. Ata bëjnë lutje me dashuri ndaj atdheut e cila buron nga besimi i drejt dhe sinqeriteti i thellë. Lutën për sigurinë e atdheut, për lutjen që bëri Ibrahimi për Mekën e bekuar”.

“Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjell lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë. Duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit. Duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjell këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë”, tha Tërnava.

Më tej, Tërnava bëri lutje që Kosovën, Zoti ta mbulojë me paqe e t’i falë vendit dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri e stabilitet.

“E lus Zotin që të na mbulojë me paqe, t’i falë vendit tonë dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri dhe stabilitet. E në veçanti, të lutemi o Zot që paqja të kthehet edhe në Palestinë e në Ukrainë”.

“Ne si qytetarë të këtij vendi, duhet të punojmë në promovimin e paqes, hapjen e vëllazërisë dhe tolerancës, larg konflikteve dhe luftërave, gjithnjë të gatshëm për t’i konsoliduar vlerat e vëllazërisë dhe bashkëjetesës njerëzore”.