Tanimë kur qeveria Kurti po shkon drejt përfundim të mandatit të saj katër vjeçar, nga ajo po kërkohet që të mbajë premtimin e dhënë për hetimin dhe konfiskimin e pasurisë së pa justifikuar.
Se paku kështu po kërkon analisti politik, Faton Mehmeti.
“Jo vetëm ndaj ish komandantëve por ndaj të gjithë atyre që kanë keqpërdorur paranë publike duhet të nis hetimi. Nga ky hetim rezultati duhet të jetë deri ne konfiskim të pasurisë. Fatkeqësisht, ata që duhet të ishin shembull i mirë i punës ndaj atdheut, u shndërruan në simbol të krimit, korrupsionit dhe pasurimit në mënyrë të pandershëm”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas tij, ashtu sic u konfiskuan pronat e kriminelit serb, Milan Radojeçiq, ashtu duhet t’u konfiskohet prona edhe politikanëve që u pasuruan në mënyrë enorme.
“Në mandatin e parë Albini u vuri shiritin pronave të Radojiçiqit, në mandatin e dytë do u ndodh e njëjta gjë disa shqiptarëve të lidhur me kriminelin serb, disa fatkeqësisht edhe kanë qenë pjesë e luftës”, thekson Mehmeti.
Por kush janë politikanët të cilëve duhet tu hetohet pasuria?
“Të gjithë zyrtarët e pasluftës duke filluar nga ish presidentët, kryeministrat e ministrat të hetohen, mjafton të shikohet pasuria e tyre. Familja Thaçi u pasurua paslufte, të hetohet si ndodhi kjo gjë. Pastaj të hetohet pasuria e familjes Haradinaj, e Isa Mustafës dhe të gjithë ish zyrtarëve të lartë. Unë, nuk e di se kujt duhet t’i konfiskohet pasuria, por duhet hetohet burimi i pasurisë dhe kushdo që s’ka mbulesë atëherë shteti ta bej punën e vet”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.