Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

The Guardian: Stuhi e diplomacisë për t’i ringjallur bisedimet Kosovë-Serbi

Përpjekjet për t’i ringjallur bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë filluar, me takimet e liderëve të dy vendeve dhe të dërguarve të lartë të SHBA-së dhe BE-së të planifikuara për të shtunën, është bërë e ditur, raporton The Guardian.

Kjo do të jetë hera e parë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë rënë dakord të takohen me një delegacion ndërkombëtar që nga të shtënat me armë zjarri në një manastir në veri të Kosovës muajin e kaluar, duke lënë të vdekur tre sulmues dhe një polic kosovar.

Gazeta britanike shkruan se takimet janë aranzhuar pas një stuhie të diplomacisë që përfshin zyrtarë të lartë në SHBA, Francë, Gjermani, Itali dhe BE.

Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, tha: “Qëllimi i vizitës është të bëhet përparim konkret në zbatimin e marrëveshjes në rrugën e normalizimit dhe në de-përshkallëzimin pas zhvillimeve të fundit”.

Ai tha se ka “pritshmëri të qarta” se palët do të rifillonin bisedimet e normalizimit “pa vonesa apo kushte”.

Bisedimet dështuan pas sulmit në shtator, me akuzat nga Kosova se BE-ja dhe SHBA-ja, në përpjekje për të kufizuar ndikimin rus në Ballkan, po e qetësonin Serbinë për shkak të lidhjeve të saj me Kremlinin.

Këtë muaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Vuçiqin për ndjekjen e një strategjie të Millosheviqit dhe tha se bisedimet nuk do të rifillojnë derisa të vendosen sanksionet ndaj Serbisë.

Pas sulmit në manastir, policia kosovare zbuloi një depo të madhe armësh – të mjaftueshme, thanë ata, për t’i armatosur qindra persona.

Prishtina pretendon se Beogradi financoi dhe mbështeti pritën nga paraushtarakët serbë të armatosur mirë pranë fshatit Banjskë dhe gjithashtu urdhëroi një grumbullim trupash në kufi. Tensionet që atëherë janë qetësuar, por armiqësia dhe mosbesimi midis dy vendeve mbizotëron.

Vuçiq ka mohuar përfshirjen në sulm dhe këtë javë u arrestua një politikan serb, i cili pranoi se kishte marrë pjesë në përleshjen vdekjeprurëse.

Në takimet e së shtunës pritet të marrë pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, i cili do të shoqërohet nga këshilltarët e politikës së jashtme dhe sigurisë të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, respektivisht Emmanuel Bonne, Jens Plötner dhe Francesco Talo.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të udhëtojë gjithashtu në Kosovë dhe Serbi për takime, tha zëdhënësi i Borrell.