Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

The Guardian: Zyrtarët e SHBA-së i konsiderojnë bindëse provat që e lidhin Serbinë me sulmin në Banjskë

Mediumi prestiogjioz anglez, The Guardian ka publikuar një artikull rreth situatës në veri të Kosovës, ku ndër të tjerash kanë shkruar se shenjat e kësaj fundjave sugjerojnë se kriza e menjëhershme mbi Kosovën është zbutur.

Pas sulmit terrorist, autoritetet në Kosovë kanë publikuar në vazhdimësi prova për përfshirjen e Serbisë, dëshmi këto që sipas redaktorit Julian Borger, po konsiderohen bindëse nga zyrtarët amerikanë.

Kështu thuhet në analizën e publikuar sot, ku është bashkangjitur edhe linku me provat që tashmë janë mbledhur për grupin terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës.

“Më 24 shtator një grup paramilitar i serbëve të Kosovës të armatosur mirë e zunë në pritë një patrullë policore të Kosovës dhe përgjatë përleshjes, një polic dhe tre serbë sulmues u vranë. Qeveria kosovare ka prezantuar prova që tregojnë se grupi ka qenë i armatosur dhe i kontrolluar nga Beogradi, dhe zyrtarët e SHBA’së privatisht e kanë bërë të qartë që këto prova i shohin si bindëse”, thuhet në artikullin e The Guardian

Në artikull thuhet se forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR u përforcua menjëherë me transferimin e komandës së një batalioni të trupave britanike që ndodheshin në rajon për stërvitje.

Ndërkohë që rreziku i menjëhershëm mund të ketë kaluar, megjithatë kriza mbi Kosovën vazhdon të acarohet.

Sipas kësaj analize, ngjarjet e javës së kaluar mund të jenë një pikë kthese, në varësi të faktit nëse ato çojnë në një rishikim të politikës në Uashington dhe Bruksel.