Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit B.V, për shkak të veprës penale të rikualifikuar përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. I akuzuari B.V është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj. Sipas njoftimit të gjykatës, koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 21.02.2023, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim. “Të akuzuarit B.V i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, i akuzuari obligohet që të paguajë shumën prej 100 euro në emër të shpenzimeve procedurale dhe shumën prej 100 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ndryshe i akuzuari për disa muaj kishte bërë plane dhe ishte përgatitur për ndërmarrjen e sulmeve terroriste në Kosovë, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT dhe në pikën kufitare Merdarë me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.